Alarm global nga hantavirusi, vendet izolojnë pasagjerët e anijes turistike pas rasteve pozitive dhe viktimave

Nga A2 CNN
11 Maj 2026, 22:54 | Bota

Alarm global nga hantavirusi, vendet izolojnë pasagjerët e anijes

Vendet në mbarë botën kanë shtuar masat e sigurisë dhe karantinës pas shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike MV Hondius, ku deri tani janë konfirmuar shtatë raste dhe tre viktima. Pasagjerë nga disa shtete janë riatdhesuar dhe po monitorohen nga autoritetet shëndetësore, ndërsa ekspertët theksojnë se rreziku për publikun mbetet i ulët.

Në Mbretërinë e Bashkuar, 20 britanikë, një gjerman me banim në Britani dhe një japonez u dërguan në Spitalin Arrowe Park në Merseyside, ku do të qëndrojnë 72 orë për kontrolle mjekësore përpara se të vetëizolohen për 42 ditë. Autoritetet britanike thanë se asnjë prej tyre nuk ka simptoma.

Në SHBA, 18 pasagjerë janë kthyer në vend. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre po monitorohen në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës, ndërsa dy të tjerë janë transferuar në Atlanta. Njëri prej pasagjerëve amerikanë ka rezultuar pozitiv me hantavirus dhe një tjetër ka shfaqur simptoma të lehta. Autoritetet amerikane kanë deklaruar se rreziku për popullsinë është “shumë i ulët”.

Holanda ka vendosur në vetëizolim qytetarët e saj të kthyer nga anija, të cilët monitorohen çdo ditë nga shërbimet shëndetësore. Edhe Spanja ka futur në karantinë 14 shtetas të saj, ku njëri prej tyre ka rezultuar përkohësisht pozitiv.

Në Francë është konfirmuar një rast pozitiv tek një grua që udhëtoi me fluturim çarter nga Tenerife në Paris. Gjendja e saj shëndetësore raportohet të jetë përkeqësuar, ndërsa autoritetet kanë identifikuar 22 kontakte të afërta.

Gjermania po monitoron katër persona të kthyer nga anija, ndërsa Kanadaja ka vendosur në vetëizolim gjashtë qytetarë të saj për të paktën 21 ditë. Një rast pozitiv është konfirmuar edhe në Zvicër.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lloji “Andes” i hantavirusit mund të transmetohet nga njeriu te njeriu përmes kontaktit shumë të afërt, megjithatë ekspertët theksojnë se virusi nuk përhapet lehtësisht si Covid-19.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos