Një letër për grupin e gatshëm të replikuesve

Nga A2 CNN
10 Maj 2025, 13:58 | Blog

Një letër për grupin e gatshëm të replikuesve

Nga Lutfi Dervishi

I dashur komentues.

Po të  shkruaj në njëjës sepse edhe pse jeni shumë, një mendje keni.

Qofsh ti trim i profileve pa foto, qofsh profil i sapo hapur, qofsh komentues me foto duke ngrënë në restorant..., po e shkruaj këtë  letër në emër të atyre që kanë humbur shpresën për një diskutim/debat normal në Facebook.

Mos harro se ti,  me çdo koment, çdo “like” dhe çdo “share” po shkruan një kapitull të ri të heroizmit virtual, ku e ku më të lavdishëm se heroizmi i popullit tonë në  shekuj.

Mos harro se je ti  që, me guximin e një Skënderbeu digjital, po mbron atdheun nga kërcënimi i madh i mendimit ndryshe, nga humori, satira dhe ironia.

Je ti që me fjalë banale apo me "bravo" dhe shqipe mezi të lexueshme, po shpartallon armiqtë e partisë.

Je ti  që, si partizanët e dikurshëm, e ke të qarte se beteja e vërtetë nuk është në male apo në rrugë, në punë apo në pushime, por në seksionet e komenteve, aty ku gjallon jeta dhe lulëzojnë veprat 3D.

Dua të jem i sinqertë, me ty  i dashur komentues.

Ti nuk shkruan për ide. Kjo të bën me dhimbje koke. Idetë janë të rrezikshme. Ti nuk shkruan as për ngjarje, se kjo kërkon të lexosh lajmet, të përpiqesh të kuptosh dhe kush ka nge për këtë kur mund të kalosh kohën duke përgjuar postimet "armiqësore.

Ti shkruan për njerëzit, për ata që nuk mendohen dy herë para se të shkruajnë, për ata që guxojnë të mos jenë  dakord me ty, apo ca më keq me partinë tende apo, larg qoftë, me liderin tënd të  dashur.

Dhe ndërsa shkruan pa frikë e pa filtër, mos harro se ti mund të jesh nga ata që ke vite që nuk jeton në Shqipëri, por ndihesh i obliguar të ruash nderin e partisë  nga 1000 kilometra larg, me një filxhan kafe në dorë dhe Wi-Fi të lodhur.

Ti ke mbërritur në atë pikë sa beson që  Skënderbeu nën udhëheqjen e partisë dhe mësimeve të ndritura të LIDERIT, i mposhti turqit. Amen!

Por ti mund të jesh nga ata që për një vend pune të kanë zënë halli të bësh like, komente "bravo" e share. Të mirëkuptoj.

Por ti mund të jesh  edhe  nga ata që shqetësohen më shumë për fytyrën e liderit sesa për xhepin tend.

Ti mund të  jesh nga ata që ankohen për korrupsionin, por e fal kur e bën partia jote. Ti mendon se partia bëhet më e fortë nga komentet e tua  luftarake, por ti hesht si fija e barit kur një e vërtetë përvëluese djeg ata të krahut tënd politik

Por nëse ti je nga ata do vërtet të ndryshosh gjendjen për mirë atëherë nise duke diskutuar për ide, jo për njerëz. Bëhu i guximshëm në kërkimin e fakteve, jo vetëm trim me llogje. Dhe mbi të gjitha, mos harro: patrioti i vërtetë nuk është ai që i bën “like” komenteve negative, por ai që guxon të shohë të vërtetën, edhe kur ajo nuk ka shumë ‘like’.

Patriot i vërtetë është ai që e do gjuhën shqipe, shkruan bukur shqip, mendon pastër shqip dhe vepron si atdhetar duke thënë: kjo nuk shkon. Mjaft më!

Patriot i vërtetë mund të jesh edhe ti nëse i trembesh ditës kur të gjithë mendojnë njesoj dhe asgjë nuk ndryshon... (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos