Prenga thirrje Presidentit Begaj: Duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 22:14 | Aktualitet

Ish-zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Dedë Prenga, ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke theksuar se situata kërkon reagim më të koordinuar në nivelet më të larta të shtetit.

I ftuar në emisionin “Çdo Kënd”, Prenga u shpreh se ky institucion, edhe pse ka rol këshillimor, është një mekanizëm i rëndësishëm në duart e Bajram Begaj, si kreu i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Sipas tij, vetëm deklaratat publike nuk janë të mjaftueshme për të adresuar çështje që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.

“Duhet të ishte mbledhur. Nuk është i mjaftueshëm qëndrimi i Presidentit të Republikës. Këshilli i Sigurisë Kombëtare, edhe pse organ këshillimor, është pjesë e kompetencave të plota të presidentit dhe lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit”, u shpreh Prenga.

Ai shtoi se ky këshill është mbledhur edhe në raste të tjera për zhvillime të rëndësishme dhe ngriti pyetjen se çfarë tjetër duhet të ndodhë që të thirret në një situatë të tillë.

Nëse është mbledhur për ngjarje të tjera, atëherë çfarë duhet të ndodhë më shumë që të mblidhet tani?”, theksoi ai.

Prenga vuri theksin edhe te nevoja për bashkëpunim institucional dhe transparencë më të madhe me publikun.

“Në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Nuk mjaftojnë vetëm strukturat, duhet koordinim dhe informacioni i duhur në kohën e duhur, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar dhe të shmangen rreziqet, nëse ato lindin – edhe pse shpresojmë të mos ndodhin kurrë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos