Bordi i Transparencës ka vendosur të rrisë çmimin e naftës, nga 218 lekë për litër në 224 lekë për litër, me një rritje prej 6 lekësh.
Me rritjen e çmimit është aktivizuar për herë të parë edhe vendimi i qeverisë për uljen e akcizës me 20%, në rastet kur çmimi i hidrokarbureve do të tejkalonte 220 lekë për litër. Nëse ky vendim nuk do tëishte aplikuar, çmimi me pakicë i naftës do të ishte 233 lekë, ose 9 lekë mëshumë sesa çmimi i vendosur këtë të premte, shkruan A2.
Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i benzinës të mbetet i pandryshuar, me 181 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i gazit nuk ishte pjesë e vendimarrjes së kësaj mbledhjeje, teksa në tabelat e shitjes u vërejt një rritje me 10 lekë, nga 65 në 75 lekë.
Menaxhimi i çmimit të naftës u denoncua nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili deklaroi se Shqipëria ka taksimin më të madh të hidrokarbureve. Berisha shtoi se kondrabanda e naftës në Shqipëri kryhet me vullnetin e qeverisë.
Ditën e shtunë, në orën 12:00, përpara Kryeministrisë është njoftuar një protestë për rritjen e çmimit të naftës, thirrur nga qytetarë dhe aktivistë. (A2 Televizion)