Pse dhe si mund të bashkëpunojë opozita?

Nga A2 CNN
30 Janar 2026, 17:44 | Blog

Pse dhe si mund të bashkëpunojë opozita?

Altin Gjeta

Disa ditë ma parë një grup profesionistësh të angazhuar në jetën publike njoftuan krijimin e Forumit për Dialog Politik. Qëllimi kryesor i kësaj nisme është të ofrojë një tryezë ku partitë politike opozitare të bisedojnë dhe eksplorojnë mundësine e ndërtimit të një qëndrimi të përbashkët në tema të mëdha me interes publik. Dhe në arritjen e këtij objektivi, Forumi udhëhiqet nga dy premisa themelore.

Së pari, Shqipëria po rresht çdo ditë e më shumë drejt një shteti të kapur dhe dështuar në disa drejtime. Në mandadin e katërt në pushtet, mazhoranca socialiste nuk ka arritur të përfundojë asnjë reformë madhe strukturore. Edhe pse sipas Bankës Botërore ekonomia shqiptare (matur si PPB për frymë) është rritur mesatarisht 3.3% në dhjetë vitet e fundit, shumica e qytetarëve nuk kanë përfituar nga rritja. Standardet e jetesës madje janë përkeqësuar në shumë drejtime pasi inflacioni real (rritja e çmimeve me rreth 35-40%) pas pandemisë dhe konfliktit në Ukrainë e ka përlarë rritjen anemike të të ardhurave personale. Dhe këtu nuk po hyj fare tek debati rreth efekteve rrënuese të taksimit progresiv që kjo qeveri aplikon ndaj të ardhurave personale. Pra, fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë, për të mos folur për ndikimin e zhvlerësimit të monedhave të huaja të cilat vijnë si remitanca nga emigracioni, eskporti kryesor i Shqipërisë.

Shqiptarët janë më të varfër në terma konkret sepse modeli ekonomik rentier që ka ndërtuar qeveria bazohet në aksiza dhe shpërndarjen klienteliste e buxhetit tek një grusht sipërmarrësish që nuk krijojnë as nuk prodhojnë. Me fjalë të thjeshta, tepsia e byrekut rritet por nuk zgjerohet. Kjo ka krijuar depresion social duke larguar nga vendi sipas Eurostat 1/3 e popullsisë së vendit gjatë dekadës së fundit. Tretja demografike ka shkretuar qyetetet dhe fshatrat e Shqipërisë duke vrarë prakikisht fuqinë krijuese, prodhuese, blerëse dhe identitare të vendit.

Për më tepër, korrupsioni është shpërndarë në mënyrë sistemike në të gjitha nivelet e qeverisjes sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në fakt, për herë të parë vlerësimet e raporteve ndërkombëtare të cilat kanë qenë gjithnjë referencë e kontestueshme mes palëve politike kanë kaluar në rend të dytë sepse SPAK dhe GJKKO (produkt i presionit ndërkombëtar) kanë ekspozuar dhe provuar korrupsionin dhe ndikimin e botës së krimit në vendimarrjen publike dhe ekonominë e vendit. Zyrtarë të niveleve ma të larta janë dënuar ose ndodhen nën hetim nga sistemi i drejtësisë për vepra penale si korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës.

Së dyti, megjithatë edhe pse në kushtet e këtij degradimi të qeverisjes, opozita nuk arrin të kapitalizojë pikë politike dhe ushtrojë presionin e nevojshmë për kolaps të mazhorancës. Nuk don shumë mend që ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në këtë paradoks, por shkaku kryesor mbetet përçarja. Partitë politike opozitare po shpenzojnë shumë energji në aksione politike të njënashme. Kjo strategji jo vetëm që nuk ka krijuar efekt, por rrezikon të thellojë hendekun mes aspiratave për ndryshim politik sepse opozita perceptohet nga njerezit si e pafuqishme për krijuar alternativë politike dhe fituar zgjedhjet. Jo rastësisht theksoj zgjedhjet, sepse ato janë mekanizmi i vetëm që do ta sjellë në pushtet opozitën. Dhe rruga drejt fitimit të zgjedhjeve është proces. Kushdo që pret që fitorja ndaj mazhorancës socialiste do të jetë një ngjarje e vetme alla shpërthim krijues big bang krijon iluzione të kota. Opozita mund të kthehet në shumicë si pasojë e një procesi me disa ngjarje që normalisht kluminojnë në fitimin e zgjedhjeve.

Por, për të arritur tek ky moment kulmor, opozita si fillim duhet të krijojë konhezion të brendshëm rreth disa çështjeve që rezonojnë me shumicën e shqiptarëve. E vërtetë, PD ka problemet e veta serioze, por asnjë aktor politik opozitar nuk mund të sfidojë e vetme mazhorancën socialiste në një periudhë afatmesme. Opozita e përçarë në Serbi ka dështuar prej disa vitesh rresht të mund Presidentin Vucic. Lëvizjes Vetëvendosje i janë dashur 15 vite luftë politike që të fitojë zgjedhjet dhe vij në pushtet në Kosovë. Dhe Kosova ka veçanisitë e veta historike dhe strukturore që nuk ndajnë shumë të përbashkëta as me sistemin politik as rrafshin social në Shqipëri. Prandaj, politikës së ideve duhet t’i bashkangjitet edhe ajo e numrave.

Për të shkuar tek numrat dhe shpejt, opozita duhet të gjejë një terra communis (pikëtakim) në teza politike. Ndërtimi i një qendrimi të përbashkët – theksoj, jo shkrije e partive tek PD – kundrejt reformës zgjedhore, ndarjes së re territoriale dhe sistemit të drejtësisë do të krijonte sinergji dhe përçonte besim tek qytetarët.

Kuvendi i Shqipërisë ka krijuar dy komisione të posaçme; një për refomën zgjedhore që ka për objekt rishikimin e Kodit Zgjedhor dhe hartimin e një ligji të ri për partitë politike, si dhe një komision tjetër për reformën territoriale. Mazhoranca ka treguar në të shkuarën se nuk e ka hiç për gjë të miratojë në mënyrë të njëanshme ndryshime që i shkojnë përshtat si në Kodin Zgjedhor ashtu edhe në ndarjen administrative. Prandaj, bashkëpunimi i opozitës rreth disa parimeve që forcojnë demokracinë përfaqësuese dhe krijojnë një fushë të barabartë loje në zgjedhje do të ndërgjegjësonte opinionin publik brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për shembull, rikthimi i kualicione parazgjedhore në Kod duke lejuar kështu partitë të konkurojnë në bllok opozitar pa vrarë indentitetin politik të partive të reja, por njëkohësisht maksimalizojë mandatet duke veprur si enë të ndryshme por komunikuese në kualicion, do të ishte me përfitim publik; do të adresonte një nga problemet themelore në zgjedhje, pabarazinë e rregullave të lojës, shmangte djegien e mijërave vota pa përfaqësim vetëm për shkak të sistemit, dhe përfundimisht do të rriste shanset për fitore të opozitës.

Po kështu, krijimi i një qëndrimi koherent kundrejt ndarjes së re administrative do të ishte jetësore për hartimin e një harte të qeverisjes vendore që jo vetëm përmirëson shërbimin publik por krijon balancat e nevojshme elektorale. Bojkoti i punës së Komisionit të Posaçëm për reformën administrative në vitin 2014 ishte akt politik vetëvrasës. PS e qepi hartën e re administrative atëbotë sipas trupit të vet elektoral, dhe pasojat janë tashmë histori. Kështu, nëse opozita shkon e bashkuar dhe më një qëndrim në interesin publik në raport më reformën administrative jo vetëm do të fitonte pikë, por do të siguronte kushte loje të barbarta në zgjedhje.

Deri në korrik 2026 Komisionet e Posaçme duhet të dërgojnë draftet në Kuvend. Kështu, koha nuk pret, dhe bashkëpunimi është imperativ.

Së fundi, qëndrimi ndaj reformës në drejtësi ka krijuar ndoshta frakturën më të madhe mes partive opozitare. Kritika e botës akademike dhe medias ndaj sistemit të drejtësisë është legjitime. Politikanët jodomosdoshmërisht janë të përjashtuar nga kritika ndaj drejtësisë, por gjuha dhe argumenti ka shumë rëndësi. E vërteta është që PD nuk ka qenë koherente në këtë drejtim. Të vetëdijshëm se kjo është temë me shumë ferra, tryeza e bisedimeve mes aktorëve politik ofron mundësi për sheshim qëndrimesh edhe në këtë drejtim. Në fund të fundit, pa shkëmbyer mendime nuk ka gjasa që të shkohet drejt mirëkuptimit edhe në tema me ndjeshmëri të lartë si qasja ndaj sistemit të drejtësisë. Shqipëria ka nevojë të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe kjo nuk shkon kundra interesave të opozitës. Përkundrazi, goditja e korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar rrënon edhe më shumë legjitimetin e mazhorancës socialiste. Mbi të gjitha, këputja e lidhjeve të krimit me politikë krijon kushtet e nevojshme për zgjedhje të barabarta mes opozitës dhe mazhorancës.

Bashkëpunimi rreth këtyre ose temave të tjera që mund të identifikohen në bisedime e kthen opozitën në rrafshin e politikës. Nga këtu mund të nisë mandej artikulimi i një vizioni tjetër politik për Shqipërinë. Sepse siç thotë ish-kryeminsitri britanik Boris Johnson, zgjedhjet i fton kush zotëron të ardhmen. Është koha të shtrohet rruga drejt një platforme politike bindëse. Dhe kjo përpjekje kalon fillimisht nga ndërtimi i bashkëpunimit mes aktorëve politik opozitar sot, jo nesër.

*Autori është bashkëthemelues (me Ermal Hasimja, Redi Ramaj, Hektor Ruci dhe Florian Haçkaj) i Forumit për Dialog Politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos