Nga Lutfi Dervishi
Në një bisedë mesnate pas një emisioni televiziv mësova se kush kishte vendosur disa vite më parë titullin: “Arrestohet analisti i njohur Lutfi Dervishi, por…”. Ngjarja në thelb ishte (gjysmë) e vërtetë. Një person me emrin Lutfi Dervishi ishte arrestuar nga policia. Por përveç emrit dhe mbiemrit asgjë tjetër nuk ishte e vërtetë. Ngjarja ndodhi në Kosovë dhe adashi i dyfishtë është me profesion mjek.
“Ai ishte mjeshtër për të vendosur tituj që klikoheshin..” i vuri kapak bisedës një koleg i ri dhe aty për aty m’u kujtua se vetë botuesi i portalit më mori në telefon dhe më tha: “Po e lëmë edhe pak këtë lajm se po na ecën shumë…(me klikime).
Kjo ngjarje ishte e papërfytyrueshme në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dhe e pamendueshme në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të ri. Jo më.
Ajo çka ishte e papërfytyrueshme, tashmë është e pashmangshme.
Bota e vjetër ku gazetari/redaktori/botuesi ishin përgjegjës për cilësinë e lajmit (mallit informacion) është përmbysur dhe sot në “botën e re” çdokush që ka një celular në dorë (3.47 milionë aparate celularë janë regjistruar në Shqipëri më 2023) mund të bëhet gazetar.
Sot media dhe konsumatori po përballen me një epokë të re, ku kufijtë mes të vërtetës, lajmit dhe argëtimit janë më të paqarta se kurrë. Nga ndikimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale, te presioni financiar për klikime, tabloja mediatike ka ndryshuar në mënyrë dramatike.
Të përpiqesh të gjesh një raport të shëndetshëm mes etikës dhe ekonomisë së mediave është kthyer në një mision gati të pamundur. Në epokën post-truth ku nuk ka rëndësi e vërteta, por emocioni që shkakton lajmi, çdo gjë është e mundur.
Mediat tradicionale: Ngërçi mes etikës dhe interesit
Mediat tradicionale si televizionet, gazetat dhe radiot, por edhe media e re po përballen me një sfidë ekzistenciale. Në përpjekje për të ruajtur audiencën dhe për të mbijetuar financiarisht, shumë media kanë sakrifikuar etikën në këmbim të titujve bombastikë që sjellin klikime dhe reklama. Raportimi faktik shpesh zëvendësohet nga sensacionalizmi, ndërsa parimi “verifiko para se të publikosh” është shndërruar në “publiko, pastaj saktëso”
Druaj se vitin që u mbyll më shumë bomba shpërthyen në portale dhe rrjete sociale se në Ukrainë apo Gaza.
Raportet e fundit të BE-së për mediat në Shqipëri kanë theksuar pikërisht këtë dukuri: mungesa e etikës profesionale, presioni i madh politik dhe ekonomik mbi gazetarët dhe fakti që disa media janë kthyer në “degë marketingu” të partive politike apo interesave të biznesit. Në një mjedis të tillë, gazetari është vënë para dilemës ekzistenciale: të zgjedhë mes ruajtjes së integritetit dhe ruajtjes së vendit të punës.
Bota e re, i gjithë popullli gazetar
Me përhapjen masive të rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale, bota e mediave është përmbysur. Sot, çdo njeri me një smartphone është një “gazetar potencial”. Mjafton një foto, një video apo një postim në TikTok/Instagram për të ndezur një debat kombëtar. Dhe këtu hyn edhe “media e politikanëve” – ku liderët publikojnë direkt “lajme” në rrjetet e tyre sociale, duke anashkaluar filtrin e mediave tradicionale.
Në botën e vjetër politikanët dhe qeveritarët ishin objekt i skanimit, shqyrtimit, kontrollit nga media, në “botën e re” nuk është më çudi e kundërta ku politikani dhe qeveritari, skanojnë, kritikojnë dhe kontrollojnë median.
Nëse dikur thoshim se “lajmësi nuk ka faj” sepse ai vetëm përcillte lajmin. Sot lajmësi dhe lajmi në “mediat alternative” janë bërë një.
Por problemi kryesor qëndron te fakti që këto “media alternative” nuk ndjekin asnjë kod etik. Fake news, manipulimi i informacionit dhe dezinformimi janë kthyer në menynë ditore. Inteligjenca artificiale i ka komplikuar gjërat akoma më shumë: me video deepfake dhe algoritme që promovojnë përmbajtje bazuar në emocionet që ngacmojnë dhe, jo në vlerën e informacionit.
Në një vend ku sfida mbetet demografia, por që ende ka 56 stacione televizive, 200 stacione televizive kabllore dhe mbi 1000 portale, beteja më e madhe nuk është më për të vërtetën dhe përgjegjshmërinë. E vërteta nuk është më zot. Zoti i ri janë klikimet.
2. Po sikur këtë video ta kishin parë 7 miliardë njerëz?
Një producente në një nga televizionet më etike në treg më tregoi për një “reels” që e kishin hequr për arsye etike, POR që menjëherë kishte marrë 7 mijë shikime.
-Po sikur ky reels i diskutueshëm të kishte marrë 7 miliardë shikime çfarë do të ndryshonte e pyeta?
-Asgjë, por do të ishte bërë virale.
Një nga tendencat më shqetësuese sot është ndikimi i biznesit dhe kapitalizmit të klikimeve. Në vend që të investohet për artikuj hulumtues ose për lajme cilësore, shumica fokusohen në “lajme” virale. Artikujt e tipit “Shikoni çfarë bëri X në plazh”, “Nuk do ta besoni çfarë i tha X-i Y-psilonit”, janë kthyer në shtyllën e lajmeve online, ndërsa pakkush merret me lajmet me rëndësi/ndikim për jetën e gjithësecilit.
Kjo qasje ka degraduar jo vetëm cilësinë e informacionit, por edhe vetë publikun, i cili gjithnjë e më shumë konsumon kohën (gjënë më të çmuar) me video argëtuese.
Sipas sondazhit të fundit, besimi te mediat është një ndër më të ulëtit në rajon, me vetëm 30% . 15 vite më parë media ishte nga institucionet më të besueshme në vend. Afro 70% e të anketuarve u përgjigjën se besonin lajmet që shikoni.
A është e vërtetë çdo gjë që shohim?
Mund të jetë e vërtetë, po jo domosdoshmërisht e dobishme.
Vendimi më i fundit i Zuckeberg-ut për të hequr fakt-chekers nga platforma e Meta (Facebook dhe Instagram) është një kambanë alarmi për etikën e mediave. Kur faktet nuk kontrollohen dhe çdo informacion trajtohet si “i vlefshëm” vetëm sepse është popullor, gazetaria humbet thelbin e vet. Në këtë kaos, publiku e ka gjithnjë e më të vështirë të dallojë të vërtetën nga propaganda, manipulimi apo thashethemet.
Liria e shprehjes, që është një nga arritjet më të mëdha, po përdoret si etiketë për shpërndarjen e lajmeve të rreme. Liria e shprehjes do të thotë të dëgjosh dhe shikosh gjëra që nuk të pëlqejnë. Liria e shprehjes e përfshin edhe “gjuhën e urrejtjes”. Po pyetja është: a është kjo ajo që na duhet? Dhe ndërsa ka ende gazetarë përpiqen të ruajnë standardet profesionale, shumica e ndjekin rrugën më të lehtë: “publiko/posto/transmeto çfarë do mileti”.
Sot publiku po mësohet të ushqehet nga “analistë/komentatorë” që në jetën e tyre nuk kanë shkruar dhe janë të paaftë të shkruajnë një lajm/koment/opinion, por janë të aftë për të treguar bukur “përralla”. Dhe publiku që nga koha e zjarrit në shpella vdes për “lajme” të zjarrta. Thashethemet dhe “jeta e tjetrit” po i transformojnë mediat në platforma argëtimi.
“Gazetarët/komentatorët” nuk përcjellin më lajme, po bëhen vetë lajm. Duke shfrytëzuar fuqinë e TV, portrete të njohura të ekraneve po përdorin popullaritetin e tyre për të shtyrë axhendat personale ose komerciale. Emisionet politike të mbrëmjes janë shndërruar në spektakle ku debati serioz sakrifikohet për batuta dhe momente teatrale sepse këto ecin në ‘rrjete sociale”.
Dhe meqenëse disa marrin shumë like në rrjete sociale edhe mediat po ndjekin të njëjtën rrugë duke e vënë veten në shërbim të rrjeteve sociale.
A ka shpresë për etikën?
Pavarësisht tablosë jo fort optimiste, me lajme interesante për publikun ka ende shpresë për lajme me interes për publikun.
Edukimi mediatik, një term që nuk nënkupton edukimin e medias, por edukimin e publikut për informacionin që konsumon, ka kohë që po aplikohet edhe në Shqipëri. Kjo përpjekje që vetë konsumatori të dallojë burimet e besueshme nga ato të dyshimta, të vërtetën nga gjysmë e vërteta, informimin nga çinformimi, lajmin nga propaganda dhe realitetin nga fantazia, e ka kaluar etapën fillestare.
Me gjithë dallgën e “lajmeve” virale në treg ka disa media të reja të pavarura nga financimi i brendshëm që investigojnë, shkruajnë artikuj kritik dhe janë në shërbim të interesit publik.
Në fund të ditës, mediat janë një pasqyrë e shoqërisë. Ndërkohë që presioni i teknologjisë, politikës dhe biznesit është në rritje, është përgjegjësia e gjithsecilit; gazetarëve, drejtuesve të mediave dhe publikut që të kërkojë dhe të mbrojë etikën dhe integritetin. Eshtë betejë për të qenë i informuar dhe jo i mashtruar. Sepse, siç thotë një fjalë e urtë: “Mediat janë si kali, ecin nga i drejton kalorësi.”
Sot kalorësi nuk është vetëm gazetari, por gjithsecili prej nesh.
*Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.
(A2 Televizion)