
Emrat e politikanëve kosovarë që kanë marrë pjesë në takimet kosovaro-serbe të Solothurnit në Zvicër qenkan bërë publikë. Pjesëmarrësit janë nga të gjitha partitë. Ndonëse asnjëri e asnjëra nuk i plotëson kriteret për t’u shpallur tradhtar apo tradhtare, mund të vazhdohet me rrëfime apokaliptike nga arka e përrallave. Njërës përrallë mund t’ia vendosim këtë titull: “Si u shit Kosova në Solothurn”.
Risia (jo aq e re) është se pjesëmarrëse paskan qenë edhe dy eksponente të një partie që, kur ishte në opozitë, edhe shoferët e autobusëve që kalonin nëpër Serbi i quante tradhtarë. Nejse, duket se me kalimin e kohës është hequr dorë nga kjo marrëzi. Edhe Joschka Fischer dikur e pati rrahur një polic gjerman, mandej nisi të punojë taksist dhe në fund u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë (madje në fazën vendimtare të çlirimit të Kosovës). Njerëzit pësojnë metamorfoza dhe, në rastin më të mirë, mësojnë. Tash paskan mbetur vetëm edhe emrat e aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët kanë qëndruar në Solothurn me ftesë të zviceranëve dhe amerikanëve.
Deri atëherë mund të prezantojmë disa atraksione të Solothurnit, në mënyrë që anëtarët e delegacionit kosovar, kur të vijnë herën tjetër në Zvicër (nëse vijnë), të kenë çfarë të vizitojnë në këtë qytet me arkitekturë baroku. Solothurni është i lidhur si me magji me numrin 11: i ka 11 kisha, 11 shatërvanë, 11 kulla mbrojtëse; katedralja i ka 11 altarë dhe 11 kambana. Solothurni ka qenë kantoni i 11-të që i është bashkangjitur Konfederatës Helvetike. Midis viteve 1530 dhe 1792, Solothurni ishte rezidenca e ambasadorëve të mbretit të Francës. Nga këtu ata përfaqësonin interesat e vendit të tyre në kantonet zvicerane. Rekrutonin, për shembull, mercenarë. Zviceranët luftonin me honorar për fuqi të tjera. Pak a shumë si shqiptarët, siç na tregojnë këngët popullore gjakovare për shqiptarët që herë gjakoseshin në Betejën e Qerbelasë (Iraku i sotëm), herë në Jemen.
Solothurni nuk është qytet ilir, por disa fije shqiptare i ka. Në Muzeun e Qytetit gjendet piktura “Shqiptari në pritë” (“Albanese auf der Lauer”) e piktorit Frank Buchser, punuar më 1884. Buchser ishte aventurier. Udhëtoi gjithandej - nga Greqia e Shqipëria në Afrikën Veriore, por më së shumti qëndroi në SHBA. Në pikturën e tij shihet shqiptari me qeleshen e zverdhur nga dielli. Ai rri ulur mbi një lëndinë me lule, ndërsa shpata shkëlqyese qëndron mbi palat e fustanellës. Burri është i tëri sy e veshë. A do të marrë hak së shpejti? A do të plaçkitë ndonjë karvan? Apo do të sulmojë udhëtarët? Imagjinata është e pakufishme.
Festivali më i rëndësishëm i letërsisë në Zvicër mbahet në Solothurn (sivjet nga 15 deri më 17 maj; nëse mes politikanëve kosovarë rastësisht ka dashamirë të letërsisë, mos e humbni këtë rast - ikni pak nga takimet me delegacionin serb. Kosovën mund ta shisni më vonë). Mund të takoni edhe ndonjë shkrimtar a shkrimtare shqiptare në festivalin e letërsisë të Solothurnit. Kanë qenë të ftuar disa herë në të kaluarën.
Një shkrimtar i madh zviceran ka jetuar në Solothurn. Quhej Peter Bichsel (1935-2025). Kur fliste, të linte përshtypjen se me vete kishte një shportë nga e cila, në çdo dhjetë sekonda, nxirrte një anekdotë. Tregimi i tij “Në të vërtetë, zonja Blum do të donte ta njihte qumështsjellësin” është një perlë letrare. Qumështsjellësi vjen herët në mëngjes, i lë qumështin dhe tëlyenin në kutinë e posaçme, zonja Blum i lë aty paratë një natë më herët. Ata nuk takohen kurrë, por zonja Blum mendon për duart e qumështsjellësit. Bichsel është mjeshtër i përshkrimit të gjërave të vogla të përditshmërisë. Nga kjo ai ka krijuar letërsi të madhe.
A ka ndonjë lidhje me shqiptarët Peter Bichsel? Po, si jo. Ka qenë përkrahës i tyre kur ishin refugjatë në vitet 1990. Ka shkruar me tone subtile mbi debatin për integrimin e shqiptarëve.
Ja një paragraf:
“Dhe madje edhe brenda vetë nocionit pozitiv ‘integrim’, gjithnjë e më shumë mund të dallohen tone armiqësore. ‘Ata tani duhet, më në fund, të mësojnë gjermanisht’ - nga gojët e politikanëve të caktuar kjo tingëllon si një kërkesë për detyra shtëpie që t’i japin si ndëshkim. Dhe me kë do të flasin ata pastaj, kur ta mësojnë gjuhën? Vallë me ne? Nuk ekziston integrimi i njëanshëm. Kush dëshiron integrimin, duhet të jetë vetë i gatshëm për integrim. Të mësosh gjuhën është diçka e bukur, por kjo nuk duhet të jetë parakusht për integrimin, por pasojë e tij. Të rinjtë shqiptarë të Kosovës po e përjetojnë këtë me dhimbje: ata flasin të njëjtin dialekt si ne, e përsëri u duhet të qëndrojnë të mbyllur brenda farefisit të tyre.” Pse? Sepse, sipas Bichsel, shoqëria zvicerane nuk ishte aq e hapur. Këto kohëra kanë ndryshuar, fatmirësisht.
Bichsel ishte modest. Thoshte: u bëra shkrimtar, sepse s’kisha talent për futboll. Po të ishte gjallë, me siguri do të ishte adhurues i Leon Avdullahut, i lindur në Solothurn, lojtar i Bundesligës gjermane dhe i kombëtares kosovare të futbollit. Në intervistën e tij të fundit të madhe Bichsel tha: “Më pëlqen të jem zviceran, më pëlqen të jetoj këtu, jam i interesuar për politikën. Por shteti më intereson më shumë sesa atdheu.” Kur shteti funksionon mirë, atëherë mund të jesh krenar për atdheun. Kur krenohesh e krekosesh për atdheun, por shtetin nuk e ke funksional, atëherë më mirë mbylle gojën dhe ule kokën. Puno. Për shtet. Jo për atdhe.
Para se të ndërronte jetë, Bichsel u pyet nëse do të dëshironte që emri i tij të vendosej në sheshe, institucione, bulevarde apo rrugë. Jo, tha ai, do të ishte bukur nëse një stacion i vogël autobusi do të bartte emrin e tij.
Në Solothurn ka jetuar edhe Azem Syla. Ka lënë gjurmë këtu edhe pasi është kthyer në Kosovë. Në atdhe rrinte ulur në parlament, në Solothurn merrte ndihma sociale. Veprim i paligjshëm. Për këtë ishte kritikuar ashpër. Ndoshta tepër ashpër, kur i ke parasysh menaxherët e paaftë të bankave zvicerane që kanë arritur të falimentojnë institute të famshme financiare dhe sanimi i tyre i kushton shtetit qindra milionë franga.
Solothurni e ka ndihmuar Kosovën. Lista është e gjatë. Këtu po përmend vetëm një rast që më duket aq origjinal, aq prekës, aq solidar dhe aq shpirtmirë. Më 23 nëntor 1999 berberi Peter Kräuchi dhe 12 berberë të tjerë morën pjesë në aksionin “Berberët ndihmojnë fëmijët në Kosovë”. Nga ora 8 deri në orën 12 ata qethën pandërprerë dhe paratë që morën nga klientët i dhuruan për Kosovën.
Në fund edhe diçka (që nuk ka lidhje me shqiptarët): më 1760 në Solothurn erdhi Giacomo Casanova. Po, po, ai tipi nga Venediku. Pjesën tjetër mund ta merrni me mend… megjithatë po e sjell këtu nga libri im mbi ecjet në Zvicër: në Solothurn Casanova filloi një lidhje me fisniken Ludovika von Roll. Ra terri, nisi nata e dashurisë. Në mëngjes Casanova konstatoi me habi: në shtrat nuk ishte e bukura Ludovika, por kushërira e saj ziliqare. Në jetë ndodhin këso ngatërrimesh. Sidomos në Solothurn. Shih, për shembull, takimin mes politikanëve ballkanikë në këtë qytet buzë lumit Aare.
E.R. (A2 Televizion)