
40 të vdekur, mbi 100 të lënduar rëndë. Ky është bilanci i zjarrit që shpërtheu në Crans-Montana, një fshat turistik në alpet e Zvicrës. Sot është ditë zie në Zvicër. Shtypi zviceran ishte i rezervuar në ditët e para të tragjedisë. Nuk është në traditën e vendit që kritika të ushtrohet në mënyrë ofensive dhe me tone të larta. Por dalëngadalë toni ka filluar të ashpërsohet.
Një gazetë e madhe e Zürichut (“Tages Anzeiger”) i sugjeron kryetarit të Crans-Montanas të jap dorëheqje. Një gazetë tjetër po nga Zürichu (“Neue Zürcher Zeitung”) nuk i kritikon direkt viktimat (kjo është e pamundur), por nënvizon se jemi shndërruar në shoqëri të dëfrimit që përgjegjësinë për jetën tonë e delegojmë gjetiu. Në këtë kontekst komentatori shtron pyetjen: si është e mundur që njerëzit të regjistrojnë me telefon shpërthimin e zjarrit, madje të vazhdojnë të vallëzojnë dhe mos të ikin sa më shpejt nga ky ferr? Ai shkruan: „As nuk ishte ndonjë gjeneratë e shastisur nga telefonët e mençur dhe mediat sociale që u argëtua deri në vdekje, siç pretendojnë disa më të moshuar për të shpjeguar të pashpjegueshmen. Të rinjtë vetëm marrin përsipër vlerat që u servir shoqëria. Këto vlera janë hedoniste. Argëtimi dhe konsumi qëndrojnë në vendin e parë“.
Edhe më kritike janë mediat gjermane. Në numrin e ri “Der Spiegel” nga Hamburgu është i pamëshirshëm. Kantoni i Wallisit - aty ku ndodhi tragjedia - përshkruhet si famëkeq për korrupsion e nepotizëm.
Në vijim disa detaje nga teksti i “Der Spiegel” të cilin e kanë shkruar 6 gazetarë. Sipas kësaj reviste jo vetëm në Crans-Montana, por në të gjithë vendin njerëzit pyesin veten: Si mund të ndodhte kjo, pikërisht këtu? Në vendin e orëve, rregullave dhe rendit? Ky rast ngre pikëpyetje edhe për industrinë e turizmit, nga e cila varen shumë vendbanime malore. Kush i mbyll sytë në mënyrë që të mund të ndërtohet gjithnjë e më lart, më tej dhe më shpejt? A kërcënojnë katastrofa të ngjashme në vende të tjera?
Fatkeqësia ndodhi në një rajon të veçantë të Zvicrës, në kantonin (Wallis). Një rajon i izoluar, i cili ka reputacionin se është veçanërisht i prirur ndaj rrjeteve të nepotizmit dhe korrupsionit, shkruan “Der Spiegel”.
Ndaj pronarëve të lokalit që u dogj është hapur një hetim penal. Por edhe komuna ndodhet nën kritikë. Kryetari i komunës, pas fatkeqësisë, u përfshi në kundërthënie lidhur me mbrojtjen nga zjarri.
Pothuajse një milion njerëz bujnë çdo vit në Crans-Montana. Nga një fshat malor, Crans-Montana është shndërruar në një stacion të skive për turistët e luksit, të cilët janë të gatshëm të paguajnë mijëra euro për një natë për një pamje të papenguar të Mont Blancut dhe Matterhornit. Crans-Montana renditet krahas qendrave ekskluzive të sporteve dimërore si St. Moritz, Gstaad dhe Zermatt.
Një pjesë e madhe e banorëve të Crans-Montanas punojnë në turizëm. Ata menaxhojnë bare dhe kioskë, gatuajnë në hotele ose u mësojnë turistëve skijimin. Nëse flet me ta, krijohet përshtypja se ishte vetëm çështje kohe derisa të ndodhte diçka.
Askush nuk pranon të citohet drejtpërdrejt. Por në mënyrë anonime, gastronomet raportojnë për “struktura mafioze”, për faktin se pjesë të mëdha të qytetit i përkasin një grupi të vogël pronarësh, ku përfshihen jo vetëm zviceranë apo francezë, por ka edhe pronarë të lokaleve të ndryshme që vijnë nga Kina, shkruan “Der Spiegel”. Teleferikët në Crans-Montana, ndryshe për shembull nga kantoni Graubünden, i përkasin një investitori amerikan. Një burrë thotë se bizneset e pronarëve me emër “nuk duhet të kenë frikë nga autoritetet për asgjë”.
Kantoni i Wallisi është konsideruar gjithmonë si një vend me rregulla të veta. Wallisi perceptohet aq ndryshe brenda Zvicrës, saqë një seri televizive merret me veçoritë e tij. Komedia kriminalistike “Tschugger” luan me klishetë e Wallisit: policë të korruptuar bëjnë pazare me shpërndarës droge, dhe konspiracionet ndërkombëtare arrijnë deri në fshatin më të largët malor.
(Mes aktorëve të serisë televizive është edhe Valmira, një kosovare që dëshiron të bëhet repere. Është shumë e qartë se kjo figurë fiktive aludon te reperja Loredana, e cila u fajësua se paskësh mashtruar për mijëra franga një grua zvicerane nga Wallisi. Ndërkohë çështja është mbyllur, ato janë pajtuar dhe marrë vesh jashtë gjyqit për të zhdukur problemin mes tyre. Për këtë Loredana është duartrokitur nga shumë fansa. (A2 Televizion)