Përroi del nga shtrati, bllokohet shkarkuesi në aksin Pogradec–Qafë Thanë

Nga Artin Halili
9 Janar 2026, 12:37 | Aktualitet

Përroi del nga shtrati, bllokohet shkarkuesi në aksin

Reshjet e shumta të shiut dhe prurjet nga kodrat përreth kanë bërë që përroi i fshatit Gur i Kuq të dalë gjatë nga shtrati i tij, për shkak të sasisë së madhe të aluvioneve që ka sjellë situatë e cila vijon prej dy ditësh. Dalja nga shtrati e përroit ka sjellë gjithashtu bllokimin e shkarkuesit në aksin nacional Pogradec–Qafë Thanë, shkruan A2 CNN.

Prej dy ditësh vijon puna për normalizimin e situatës ndërsa qarkullimi i mjeteve në një segment rreth 100 metra kryhet vetëm me një korsi.

Prej tre ditësh po punohet për hapjen e një korsi emergjente drejt njësisë administrative Dardhas, pasi rruga është shembur dhe kalimi i mjeteve është i pamundur. Të bllokuara mbeten gjithashtu aksi Kakaç–Grunjas, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, si dhe aksi Kalivaç–Dunicë për të njëjtën arsye.

Si pasojë e këtyre bllokimeve, në fshatrat Dunicë dhe Grunjas ditën e sotme nuk është zhvilluar procesi mësimor, pasi mësuesit nuk kanë mundur të mbërrijnë në shkolla për shkak të pamundësisë së kalimit të mjeteve, bën me dije Zyra Arsimore Pogradec.

Edhe në segmentin e Unazës së Pogradecit situata mbetet problematike, shembja e rrugës në një gjatësi prej 50 m vijon të jetë rrezik i shtuar për mjetet dhe lëvizja bëhet vetëm me 1 korsi.

Prurjet e lumenjve janë ulur ndjeshëm për shkak të ndërprerjes së reshjeve ndërsa pasojat e lëna pas duken të rënda si në rrugë ashtu edhe në sipërfaqe bujqësore që janë përfshirë nga ujërat e vrullshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos