Nga Mentor KIKIA
A e përdori PS pushtetin, infrastrukturën, administratën e qeverisë së saj për të “bërë” vota? Padyshim që po!
A e ka ndikuar rezultatin e zgjedhjeve makineria e patronazhimit, me njerëz që të dinë edhe zorrët e barkut, kush je, me kë je, ku të punon gruaja, burri, fisi e farefisi, ku të pikon çatia etj? Padyshim që po!
Opozita mund të rendisë edhe nja 20 aryse të tjera për humbjen e zgjedhjeve...
Por….
A e votuan PS-në ata fshatarët që kanë shkulur pemët apo braktisur fermat e tyre me mollë e pjeshkë, e shkojnë punojnë në fermat e grekëve, sepse këtu nuk kanë ku ta shesin prodhimin?
A e votuan PS-në ata që derdhin qumështin në rrugë, sepse tregun e ka pushtuar qumështi që vjen nga Serbia, pasi prodhimi vendas nuk mbrohet?
A e votuan PS-në ata që protestojnë, duke hedhur domate e kastraveca nëpër rrugë, sepse prodhimet e tyre nuk shiten për shkak të kostos së lartë, pasi subvencionet janë shumë të ulëta?
A e votuan PS-në ata pensionistët “e gjorë”, që për një shpërblim qesharak dergjen nëpër radhë të gjata e na bëjnë ti mëshirojmë?
A e votuan PS-në mijëra të moshuar që mezi presin paratë e fëmijëve nga jashtë për të blerë ilaçet e për të paguar dritat?
A e votuan PS-në ata prindër që kanë mbetur të vetëm nëpër shtëpi e ku nuk dëgjohen prej vitesh zëra fëmijësh?
A e votuan PS-në ata që enden dyerve të spitaleve pa ilaçe e qajnë para kamerave se po vdesin, sepse nuk bëjnë dot as kimioterapinë?
A e votuan PS-në qindra mijëra njerëz, që çdo ditë i mbushin serbatorët e makinave me karburantin që kushton më shtrenjtë se në Gjermani, Itali, Francë etj?
A e votuan PS-në ata që revoltohen në rrjet, sa herë duhet të paguajnë tarifë kur kalojnë edhe në rrugët e ndërtuara me taksat e tyre?
A e votuan PS-në mijëra e mijëra të tjerë, që sa herë lexojnë e dëgjojnë lajme për aferat qindra miliona euroshe të autostradave, tuneleve, TEC-eve lundruese, konçensioneve të sterilizmit, inceneratorëve, investitorëve strategjikë…, pra sa herë dëgjojnë nga këto, shajnë e mallkojnë: Mos u ngopshi, mos i hëngshi…
A e votuan ata që kur lexojnë lajme me arrestimet e SPAK-ut, për ministra, deputetë e zyrtarë të tjerë thonë: Inshallah këmbën zvarrë. Atje shkofshi të gjithë ju që na vidhni…
E di që do të më thoni: Po kë të votojmë? Të rikthejmë sërish Berishën? E drejtë. As unë nuk e mbështes rikthimin e Berishës. Por shporta kishte më shumë se dy produkte kësaj radhe.
Të bëhesh palë me pushtetin është një gjë komode dhe fitimprurëse në këtë vend.
Unë kam zgjedhur të jem një zë kritik, pavarësisht kush ka qenë në pushtet. Sepse mendoj se të jesh kritik i shërben më shumë vendit, shoqërisë dhe demokracisë. Por, përse duhet që unë, apo disa të tjerë si puna ime, ti kërkojnë llogari qeverisë për fermerët, për pensionistët, për mungesën e ilaçeve, për korrupsionin, për taksat e larta, për çmimin e karburantit e për të tjera probleme që prekin njerëzit drejtëpërdrejtë, kur vetë ata nuk shqetësohen? Madje duken edhe të lumtur.
Ndaj unë kam vendosur ta respektoj vendimin e "sovranit". Kjo është demokracia. (A2 Televizion)