Kriza që ndezi diellin. Europa vrapon drejt energjisë së pastër, por a është zgjidhja aq e thjeshtë?

Nga Rosalba Bejdo
23 Prill 2026, 21:49 | Bota

Kërkesa për panele diellore në çati në të gjithë Europën është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës me Iranin, teksa familjet po nxitojnë të mbrohen nga rritja e fortë e çmimeve të energjisë, të shkaktuara nga një prej tronditjeve më të mëdha energjetike globale në histori.

Konflikti ka shtyrë në rritje të fortë çmimet e naftës, gazit dhe energjisë elektrike, duke goditur njëkohësisht bizneset dhe familjet, dhe duke përshpejtuar përpjekjet për të gjetur alternativa më të lira dhe për të reduktuar varësinë nga tregjet e paqëndrueshme të energjisë. Energjia diellore është një nga këto alternativa. Sipas intervistave me disa kompani dhe furnizues të sektorit në Gjermani, Britani dhe Holandë, kërkesa nga familjarët është më shumë se dyfishuar për disa aktorë të industrisë që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.

Kjo vjen në një moment të rëndësishëm për një teknologji që përbën rreth një të tretën e kapacitetit total energjetik të Europës, por që vitin e kaluar pësoi rënie të ritmit të instalimeve për herë të parë pas gati një dekade. Megjithatë, ekspertët theksojnë se Europa duhet të bëjë shumë më tepër për të ulur varësinë nga nafta dhe gazi i importuar. Zëvendësimi i lëndëve djegëse fosile shpesh përshkruhet si një kalim i thjeshtë nga burimet e vjetra drejt atyre më të pastra.

Por në praktikë, procesi është shumë më kompleks. Energjia diellore dhe ajo e erës po rriten me ritme të shpejta, por prodhimi i tyre varet nga moti dhe ora e ditës. Kjo do të thotë se sistemet energjetike kanë nevojë për investime jo vetëm në prodhim të ri, por edhe në rrjete, depozitimin e energjisë dhe burime rezervë. Bateritë po përdoren gjithnjë e më shumë, sidomos në automjete dhe sisteme energjie, por janë më të vështira për t’u aplikuar në sektorë si aviacioni, transporti detar apo industria e rëndë.

Biokarburantet mund të zëvendësojnë naftën në disa fusha, por zhvillimi i tyre kufizohet nga burimet, përdorimi i tokës dhe shqetësimet për qëndrueshmërinë. Këto kufizime shpjegojnë pse kalimi nga energjitë fosile do të ndodhë me ritme të ndryshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Chris Hocknell, bashkëthemelues i Eight Versa: “Një nga mitet më të mëdha në fushën e energjive të rinovueshme është se ato janë më të lira se lëndët djegëse fosile, dhe mund të them pa asnjë mëdyshje se kjo nuk është e vërtetë. Kur merr në konsideratë gjithçka, jo vetëm prodhimin, por edhe mbështetjen e sistemit, stabilizimin e rrjetit dhe të gjithë elementët teknikë që duhen për ta bërë atë të qëndrueshëm dhe të besueshëm, energjitë e rinovueshme, si era për shembull, rezultojnë rreth 50% më të shtrenjta se gazi për njësi energjie. Në Europë kjo po kompensohet duke vendosur taksë karboni mbi gazin, për të krijuar barazi, por kjo thjesht po rrit çmimin total të energjisë dhe kjo është arsyeja pse çmimet janë kaq të larta.

Pse është e vështirë të zëvendësohen lëndët djegëse fosile?

Lëndët fosile përdoren shumë më gjerë sesa vetëm për prodhimin e energjisë elektrike. Nafta, gazi dhe qymyri janë thellësisht të integruara në transport, ngrohje, prodhim dhe industri të rëndë. Ato janë gjithashtu të lehta për t’u ruajtur dhe transportuar, dhe infrastruktura për përdorimin e tyre ekziston prej kohësh. Një nga arsyet kryesore të varësisë është se ato janë një produkt energjetik i plotë: përmbajnë energjinë dhe mund të ruhen për kohë të pacaktuar. Ndërsa energjitë e rinovueshme varen plotësisht nga kushtet atmosferike.

Chris Hocknell: “Një nga arsyet pse jemi kaq të varur nga lëndët fosile është se ato janë një produkt energjetik i plotë: përmbajnë energjinë dhe mund të ruhen për një kohë të pacaktuar. Kjo nuk vlen për teknologjitë e rinovueshme, të cilat varen plotësisht nga kushtet atmosferike. Prandaj lëndët fosile janë kaq të përhapura. Duhet të kemi parasysh gjithashtu se ato përdoren për të prodhuar pothuajse gjithçka në botën tonë materiale, nga ilaçet te rrobat dhe çdo gjë që prekim çdo ditë. Përdorimi i tyre është i shumëfishtë dhe kjo i bën të kudondodhura në të gjithë botën. Teknologjitë e rinovueshme nuk mund të konkurrojnë ende në shumë prej këtyre drejtimeve.”

Këto burime mund të prodhojnë sasi të mëdha energjie me emetime të ulëta, por nuk funksionojnë në mënyrë të vazhdueshme. Me rritjen e rolit të tyre, sistemet energjetike kanë nevojë për më shumë kapacitet rrjeti, më shumë depozitimi dhe mënyra të tjera për të balancuar furnizimin me kërkesën. Sfida nuk është vetëm ndërtimi i kapaciteteve të reja, por përshtatja e gjithë sistemit energjetik.

Chris Hocknell: “Teknologjitë e rinovueshme varen shumë nga gjeografia, dhe këtë shpesh e harrojmë. Energjia diellore funksionon shumë mirë në disa pjesë të botës dhe është shumë e përshtatshme për përdorim familjar apo në ndërtesa. Por në zona me më pak diell, duhet të shohim drejt teknologjive të tjera më efikase, si energjia bërthamore.”

Pse bateritë nuk janë zgjidhje universale? Bateritë janë të dobishme për automjetet dhe për ruajtje afatshkurtër të energjisë, por kanë kufizime në sektorë me kërkesa të larta energjie ose ku pesha është faktor kritik. Problemi kryesor është dendësia e energjisë: karburantet fosile në formë të lëngshme kanë deri në 50 herë më shumë energji sesa bateritë me litium. Ndryshe nga energjia elektrike, nafta mund të ruhet për kohë të pacaktuar.

Chris Hocknell: “Bateritë janë shumë të mira për ruajtje afatshkurtër. Kur flasim për to, kemi parasysh sekonda, minuta apo ndoshta disa orë, për të balancuar diferencat dhe për të përballuar mungesat e papritura. Por problemi kryesor është dendësia e energjisë: një karburant i lëngshëm si nafta ka rreth 50 herë më shumë energji sesa një bateri me litium. Kjo është arsyeja pse nuk kemi zgjidhje për ruajtje afatgjatë. Ndërsa një fuçi nafte mund ta mbash në magazinë për një kohë të pacaktuar.”

Chris Hocknell: “Ka zhvillime shumë interesante në teknologjinë e baterive, por realisht edhe skenarët më optimistë flasin për një rritje të kapacitetit maksimumi dyfish. Kjo do të ishte një arritje e madhe, por prapë mbetet hendeku. Ka kufizime fizike reale, ndaj duhet të kërkojmë edhe teknologji të tjera, jo vetëm prodhim masiv baterish.”

Biokarburantet ndihmojnë në disa sektorë, por prodhimi i tyre varet nga kultura bujqësore, vajrat e përdorur apo burime të tjera. Zgjerimi i tyre ngre shqetësime për përdorimin e tokës dhe ndikimin në prodhimin e ushqimit.

Chris Hocknell: “Biomasa, në shumë drejtime, është një nga teknologjitë më pak të mira me karbon të ulët. Është madje më e kushtueshme se era dhe krijon konkurrencë për përdorimin e tokës me prodhimin e ushqimit. Në një kohë kur çmimet e ushqimeve pritet të rriten, përdorimi i tokës për energji në vend të ushqimit nuk është një zgjedhje e zgjuar. Nëse vendos panele diellore në një sipërfaqe toke në vend që të rritësh kultura për t’i djegur, prodhimi i energjisë është deri në 10 herë më i lartë.”

Chris Hocknell: “Ka edhe biokarburante që prodhohen nga mbetje, si yndyrnat apo mbetjet njerëzore, nga të cilat mund të gjenerojmë energji. Por problemi është se volumet janë shumë të vogla dhe procesi është i kushtueshëm. Ka vend për to në disa zona dhe është më mirë t’i përdorim sesa t’i hedhim, por ato janë vetëm një shtesë e vogël, jo zgjidhje përfundimtare.”

Kalimi drejt energjive të pastra do të jetë i pabarabartë. Disa sektorë do të ecin më shpejt, sidomos aty ku alternativat janë më të lira dhe më të lehta për t’u zbatuar. Të tjerë do të kërkojnë më shumë kohë për shkak të kompleksitetit të proceseve industriale dhe infrastrukturës ekzistuese.

Chris Hocknell: “Çdo teknologji ka të metat e veta. Nuk ekziston një zgjidhje që i zgjidh të gjitha problemet me kosto të ulët, gjithmonë ka kompromise. Energjia bërthamore, për shembull, është e shtrenjtë për t’u ndërtuar, por pasi vihet në punë, është shumë e qëndrueshme dhe relativisht e lirë. Nëse marrim parasysh gjithë ciklin e jetës, ajo rezulton ndër opsionet me më pak karbon për koston që ka. Dhe ka shumë gjasa që në të ardhmen të shohim një rritje të rolit të energjisë bërthamore.”

Ekziston gjithashtu debat mbi kostot: disa ekspertë argumentojnë se energjitë e rinovueshme nuk janë gjithmonë më të lira se ato fosile. Ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se energjia diellore dhe ajo e erës janë opsionet më ekonomike për prodhim të ri energjie në shumë vende. Megjithatë, me rritjen e tyre, kërkohen investime shtesë në rrjet, depozitimin e energjisë dhe fleksibilitetin e sistemit.

Në fund, çdo teknologji ka kufizimet e saj – dhe nuk ekziston një zgjidhje e vetme që i zgjidh të gjitha problemet me kosto të ulët.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos