
Kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe zhvillimet e fundit në Këshillin e Mandateve e Parlament në lidhje me të, ishin temë e diskutimit në “Debati” i A2CNN këtë mbrëmje.
Gazetarja e rrjetit investigativ “BIRN”, Aleksanda Bogdani tha se ka eksponentë të lartë në Partinë Socialiste që janë të frikësuar nga një rrëfim i mundshëm i Ahmetajt para drejtësisë.
Duke nënvizuar se “i gjithë shteti ka rënë brenda”, Bogdani tha se gjurmët e këtij skandali korruptiv janë shfaqur zbuluar ndaj zyrtarët socialistë që janë impikuar në këtë aferë në një formë apo tjetër, i tremben drejtësisë.
“Mendoj se PS dhe shumë eksponentë të lartë të PS kanë arsye të frikësohen sot edhe nga një frikë e tyre e mundshme që Ahmetaj mund të flasë sepse kjo çështje ka shkuar shumë lartë. Ka të përfshirë shumë politikanë, ndoshta njerëzit më të pushtetshëm të të dyja qeverive të zotit Rama duke shkuar deri te personi që mbledh qeverinë dhe merr vendime. Ka zyrtarët më të lartë të PS që janë në njëfarë mënyre apo një tjetër të implikuar, me vendime, me kontakte, me udhëtime me kontraktorët e qeverisë. Ka vend për frikë dhe për faktin që tashmë gjurmët janë aty, indiciet janë gjetur dhe s'besoj se kësaj çështje do ti vihet kapak pa dhënë përgjigje për të gjithë të përfshirët në këtë aferë që duhet thënë është skandaloze”, nënvizoi gazetarja.
Por, në gjykimin e saj si gazetare që ndjek zhvillimet politike në vend prej 2 dekadash, Bogdani tha se pavarësisht se e pret qelia, ka shumë pak gjasa që Ahmetaj të pendohet dhe të “tradhtojë” pjesën sipër në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Sipas saj ish-zv/kryeministri vetëm po shfrytëzon kohën për të negociuar fatin e tij. Bazuar në këtë rast, Bogdani deklaroi se do të jetë shumë e vështirë që edhe në vitet në vijim të kemi një politikan të rangut të lartë në Shqipëri që të nxjerrë emra “BIG” kur arrestohet.
“Unë nuk kam parë deri më sot në 20 e ca vjet që ndjek zhvillimet, që dikush në nivele kaq të larta pendohet në këtë vend apo tradhton pjesën sipër. Nuk besoj që as zoti Ahmetaj do ta bëjë këtë gjë. Shoh se zoti Ahmetaj po shfrytëzon minutat e fundit para se gongu të bjerë nga Kuvendi për të negociuar një fat më të mirë për veten e vetë. Nuk besoj realisht që së shpejti mund të shohim dikë në nivele të larta të politikës që të pendohet, sepse nuk ka ndodhur të shkuarën, as me zotin Dako as me Tahirin”, tha Bogdani. (A2 Televizion)