
Dakordësia e socialistëve për t’i hequr imunitetin Arben Ahmetajt, nuk garantoi qetësi në seancë plenare. Opozita kërkoi të mos humbej kohë deri të hënën për miratimin e kërkesës së SPAK, që do t’i hapte rrugë arrestit të ish-zv/kryeministrit. Me bindjen se kryeministri Rama po merr kohë për të negociuar me ish-vartësin e tij, demokrati Gazment Bardhi përcolli në foltore shqetësimin e shprehur me dyer të mbyllura nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
As fjalët e Dumanit, as kërkesa e opozitës nuk bindi mazhorancën që të ndryshojë rendin e ditës, duke u justifikuar me procedurën.
Refuzimi i demokratëve për t’u tërhequr ashpërsoi reagimet e mazhorancës, sidomos kur Gazment Bardhi citoi emrat e socialistëve të tjerë që përmenden në dosjen e SPAK ndaj Ahmetaj.
Ermonela Felaj nuk e përballoi mirë lakimin e saj duke shpërthyer në fyerje ndaj demokratit, që u përgjime të njëjtën gjuhë.
Në pritje të votohej si ministër i Brendshëm, Taulant Balla vijoi me rolin e kreut të grupit, duke qetësuar deputeten socialiste, që mori kohën e saj dhe reagoi në një moment tjetër, për të hequr nga vetja përgjegjësinë e procedurave të inceneratorëve.
Sali Berisha kishte një pyetje për Damian Gjiknurin, ndërsa Gazment Bardhi i kujtoi deputetit socialist sfidën për mandatin.
Numri dy i Partisë Socialiste, replikoi nga oborri i parlamentit.
Edi Rama nuk u shfaq në seancë, ndërsa Taulant Balla kreu edhe ndërmjetësimin e fundit me opozitën, duke thirrur Konferencën e Kryetarëve, ku u gjet një zgjidhje e ndërmjetme duke afruar të premten seancën e posaçme për Ahmetajn. (A2 Televizion)