3 akuzat ndaj Ahmetaj, Gjokutaj: Nuk është prekur financimi nga fondi rezervë që i jep përgjigje përfundimtare në nivele të larta

Nga A2 CNN
13 Korrik 2023, 21:12 | Politikë
3 akuzat ndaj Ahmetaj, Gjokutaj: Nuk është prekur financimi nga fondi

Komisioni i Mandateve është kthyer në një pengesë në zbatim të ligjit. Kështu u shpreh avokati Genc Gjokutaj në studion e Debatit në A2 CNN, lidhur me rastin më të fundit atë të Arben Ahmetajt. Sipas tij ndërsa SPAK kërkon arrestimin e deputetit, kuvendi loz me numër protokollesh e data dhe e çon atë në kalendrat greke.

“Janë dhënë disa versione dhe është krijuar mjegull në opinion publik, kryetarja e Kuvendit thotë kam marrë dijeni të hënën, kërkesa e SPAK është çuar të premten. Kërkesat e SPAK duhet të vihen në lëvizje me orë, se masa e sigurisë e kontrolli i banesës nëse kryhen në kohë dhe shpejt krijojnë bazament për vijimin e mëtejshëm të hetimit. Problemi që kemi është që komisioni i mandateve nga një hallkë në ndihmë të ligjit është kthyer në pengesë në zbatim të ligjit. SPAK kërkon arrestimin e deputetit, Kuvendi loz me numër protokollesh e data dhe e çon atë në kalendrat greke. Kuvendi po përdor artifica për ta shtyrë. Aty flitet për pazare”.

Ai u shpreh i bindur se Ahmetaj nuk do të hyjë në burg, por thekson se mosparaqitja e rëndon pozitën e tij.

“Ahmetaj sigurisht nuk do të hyjë në burg. Topi është në anën e Ahmetajt. Ahmetaj jashtë politikës do të ishte patate e nxehtë për politikën shqiptare, nëse nuk vihet në dispozicion të drejtësisë do të ishte një rrezik shumë i madh. Bashkëpunëtorët e tij nuk do të ndihen të sigurt.  Mosparaqitja e tij rëndon pozitën e tij, akuzat nuk provohen me dëshmitarët, por me akte dokumentare.

https://youtu.be/NVa0BC7yGEI

Gjokutaj thekson se 3 veprat penale që akuzohet ish-numri dy i qeverisë nuk kanë prekur thelbin e çështjes së inceneratorëve që është financimi nga fondi rezervë. Sipas tij kjo i jep përgjigje përfundimtare në nivele të larta kësaj çështjeje.

“Duhet thënë që këto 3 vepra penale nuk kanë prekur thelbin e çështjes së inceneratorëve që është financimi nga fondi rezervë, kjo hap tamam matrioshkën dhe i jep përgjigje përfundimtare në nivele të larta kësaj çështje që nuk funksionon pa firmën e kryeministrit dhe ministrit të Financave. Tashmë lumi ka dalë nga shtrati, po dalin individë të tjerë e pushtetarë që kanë udhëtuar me të njëjtët persona si Ahmetaj. Ky hetim është shumë i vonuar. Të tre çështjet e inceneratorëve duhet të ishin hetuar në një të vetme. Edhe për Ahmetaj SPAK të vepronte më parë se nuk ka asnjë provë të re”.

Sipas tij “SPAK nga mungesa e vullnetit nuk ndërpret financimin e këtyre bizneseve. spak ka ende kohë aty ka përgjegjësi të tjera dhe unë mendoj që kjo çështje do të hapet. Ky është një arrest  i sforcuar që vonesa e zvarritja janë lojë”.

https://youtu.be/8TmrLc1VLdQ

Për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi, masa e sigurisë e humbet kuptimin nëse nuk zbatohet menjëherë. Sipas tij Komisioni po merr rolin e një gjykatësi.

“Masa e sigurisë e humbet kuptimin nëse nuk zbatohet menjëherë, imuniteti mbron nga arresti dhe kërkohet miratimi i parlamentit dhe duhet që parlamentit të vepronte në mënyrë të menjëhershme. Në 11:00 të mblidhej komisioni në 13:00 të mblidhej parlamenti të miratohej masa. Komisioni po merr rolin e një gjykatësi.. Unë gjykoj që kishte mundësi të merreshin masa të tjera”.

Ndërsa gazetarja e BIRN Aleksandra Bogdani shprehet se ngjarjet po zhvillohen në prapaskenë për shkak të zvarritjes së procedurave dhe largimit të Ahmetajt. Sipas saj është e pamundur që kjo çështje të kufizohet vetëm tek Ahmetaj pasi kanë dalë emra të tjerë të implikuar.

https://youtu.be/hEA_IJ3awas

“Më duket zvarritje e procedurave, por loja ndryshoi rrugës se Ahmetaj kishte dalë nga Shqipëria dhe ngjarjet zhvillohen në prapaskenë. Variantet janë 2: që nuk ka ndërmend të kthehet e përballet me drejtësinë dhe ose po negociohet në terma të tjerë për qëndrimin e tij në burg. Ai duhet të ishte këtu se ka qenë numri 2 i qeverisë. Sinjalet kanë qenë nga persona të tjerë dhe jo Ahmetajt, Ahmetaj paska pasur shumë miq që po i gjenden në ditën e zezë. E rëndësishme është të shohim dosjet dhe provat dhe aty janë parë përfitimet e tij në kurriz të taksapaguesve. Prokuroria ka gjetur biseda që ndërmjetësonte me kryetarët e bashkive që këtyre personave t’u jepej akses për përfitime në këto kontrata dhe këto kanë shërbyer si bankomat personal. Kutia është hapur dhe është e pamundur që të kufizohet vetëm tek Ahmetaj. Ka indicie që implikojnë Gjiknurin, Veliajn. Ka skenarë sesi një sërë zyrtarësh kanë punuar për nënkontraktorët. Për mua është e pamundur që të mbyllet vetëm tek Ahmetaj. SPAK do ta shtyjë hetimin përpara. Provat janë aty dhe në kuvend”.

Ndërsa politologu Ilir Kalemaj flet për betejë të ëndheshme brenda PS-së dhe mbijetesë politike. Ai vlerëson opozitën që u bën bashkë në Kuvend për këtë çështje.

“Lajm i mirë është që opozita u bë bashkë, ishte bashkë edhe në komisionin e inceneratorëve dhe ishte një nga komisionet hetimore më efektivë, në lidhje me këtë aferë dhe shpalosjen e fakteve. Është mirë që opozita ka gjetur gjuhën e arsyes. Beteja e nëndheshme i përket  X e Y brenda PS. Në rastin e Ahmetajt bëhet fjalë për mbijetesë politike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos