
Futbolli në Shqipëri vazhdon bojkotin. Liga Profesioniste konfirmoi në fillim të kësaj jave se nuk do të kthehet në fushë pa u plotësuar katër kërkesat, ku prioritet ka ligjin për sponsorizimet.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Fidel Ylli, negociatori i ngarkuar nga qeveria për të diskutuar me drejtuesit e futbollit, kritikoi bllokimin e shkaktuar në të gjitha nivelet, por dha sinjale pozitive për zgjidhjen e situatës.
Duke vlerësuar paketën mbështetëse të sportit, me miratimin e ligjit për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% në investimet infrastrukturore sportive, deputeti Ylli theksoi se zgjidhja e problemit të futbollit do t’i shërbejë të gjithë federatave të tjera sportive.
Më 10 tetor u anulua protesta në sheshin përpara Kryeministrisë për shkak të situatës pandemike, ndërsa këtë fundjavë duhej të ishte luajtur java e 6 e Kategorisë Superiore. Gjithsesi, në pritje të sinjaleve konkrete nga qeveria, Liga Profesioniste ende nuk ka njoftuar se cila do të jetë lëvizja e radhës. (A2 Televizion)