
Në ceremoninë e pritjes dhe nderimit të boksierit Florian Marku, kryeministri Edi Rama zgjodhi sërish t’u përgjigjet kritikëve që e akuzuan se qeveria përdori suksesin e kampiones së Europës Luiza Gega. Në fjalën e tij kreu i qeverisë, duke i konsideruar negativë kritikët tha se ata kanë për çdo zgjidhje një problem.
“Nuk është e vërtetë që Luiza ka vrapuar vetëm pavarësisht se suksesi është i gjithi i saj dhe nuk është e vërtetë që duke nderuar Luizën dhe duke vënë në dispozicion ceremonialin e shtetin ne u përpoqëm të përdorim suksesit të saj përfytyroni sikur asgjë mos kishim bërë këta njerëz do të thoshin e shpërfillën, prandaj është më mirë të bëjmë atë që Luiza na mëson me shembullin e saj të vrapojmë më shpejt dhe mos humbasim kohë me njerëzit negativë, sepse siç thotë Ajnshtajni: Që për çdo zgjidhje ata kanë një problem”.
Duke u ndaluar te ceremonia e nderimit të boksierit Florian Marku i cili u shpall kampion në boks për peshën “welterweight” në versionin WBC Silver duke mposhtur me pikë meksikanin Miguel Parra Ramirez, Rama theksoi se ai do të vlerësohet me yllin e madh si ambasador i Shqipërisë kuqezi.
“Jemi sot të celebrojmë një histori jetësore të ngjashme me atë të qindra mijëra shqiptarëve të cilët që fëmijë janë marrë përdore nga prindërit në rrugën e emigracionit dhe bëjnë sukses, dhe nuk bëjnë lajm, kurse suksesi i Florianit bën lajm dhe ai lajm është kuqezi. Në aspektin ceremonial ne e kemi bërë dallimin. Ne kemi nderuar Luizën me kordonin e madh që është më i larti në shkallën e vlerësimeve dhe u takon krerëve të shteteve e qeverive që kanë një impakt të rëndësishëm lidhur me këtë vend. Luiza është së bashku me Merkelin dhe Donald tuskun presidentin e BE dhe kardinalin, shefin e diplomacisë së Vatikanit. Ndërkohë që pas kordonit, vjen ylli i madh që ne e kemi bërë me shumë personalitete që është ambasadori i BE dhe nunci apostolik, kur i kemi dhënë lamtumirën dhe këtë e bëjmë sot për një ambasador të Shqipërisë që prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi dhe Myzeqe nga gjyshja”. (A2 Televizion)