Borchardt: Reforma Zgjedhore të finalizohet në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim

Nga A2 CNN
28 Maj 2020, 11:26 | Politikë
Borchardt: Reforma Zgjedhore të finalizohet në të mirë

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, në prag të mbledhjes së sotme të Këshillit Politik, përgëzoi “partitë politike shqiptare për rifillimin e dialogut për Reformën Zgjedhore dhe për marrëveshjet e arritura deri tani në Këshillin Politik, ku është vendosur dialog mes qeverisë, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare”.

“Ne po ndjekim me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet tashmë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme. Njëkohësisht, Reforma Zgjedhore nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme”, u shpreh Borchardt.

“Unë i nxis të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë Reformën Zgjedhore në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike. Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor”, shtoi Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos