Borrell: E ardhmja e Kosovës, në Evropë. Por, duhet dialog me Serbinë

Nga A2 CNN
28 Maj 2020, 08:18 | Kosova
Borrell: E ardhmja e Kosovës, në Evropë. Por, duhet dialog me

E ardhmja e Kosovës, bashkë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është në Evropë. Kjo është deklarata më e fundit e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter.  

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, është evropiane. Si BE, jemi të përkushtuar t’i shoqërojmë ata në çdo hap në rrugën e tyre”, shkruan Borrel.

Por, shtoi ai, që Kosova dhe Serbia ta bëjnë të ardhmen evropiane realitet për popujt e tyre, “nuk ka rrugë tjetër përpos dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Kjo deklaratë vjen pas kritikave të raportueses në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ndaj Presidentit Hashim Thaçi, që nuk ka vullnet të marrë pjesë në proceset negociuese të Bashkimit Evropian që udhëhiqen nga Miroslav Lajçak.

“Një lider i përgjegjshëm duhet të flasë me negociatorët ndërkombëtarë, nuk është një zgjedhje personale”, tha Von Cramon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos