
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell e ka quajtur arrestim, kapjen e 3 policëve të Kosovës nga Serbia. Në një deklaratë për mediat, Borrell thotë se janë në kontakte të ngushta me KFOR-in, Serbinë dhe Kosovës për të mësuar më shumë detaje rreth asaj që ai e quan arrestim, e ndërsa sipas Prishtinës zyrtare është “rrëmbim”.
“E dini që ka ndodhur një incident rreth arrestimit të tre oficerëve policorë të Kosovës dhe ne jemi duke provuar ta vërtetojmë se çka saktësisht ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe me të dyja palët për të marrë vesh se çka çoi në këtë arrestim", tha ai.
Në këto kushte, ai i ka ftuar të dyja palët në një takim javën e ardhshme në Bruksel.
“Duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një gjendje të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, deklaroi Borrell.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur sërish me rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe. (A2 Televizion)