
Përveç pamundësisë për të marr borxh, bashkitë përballen me shumë detyrime të prapambetura. Para se të miratohej buxheti për vitin e ardhshëm, kryetarët dhe shoqatat e pushtetit vendor kërkuan faljen e tyre, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.
Kërkesat e përfaqësuesve të 61 bashkive të vendit nuk u reflektuan në buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura nga Buxheti i Shtetit dhe jo nga ai i pushtetit vendor, nën argumentin se ato ishin të trashëguara nga ish-komunat, ishte një ndër to.
Deri në fundin e muajit tetor, ky borxh kapte vlerën e 6,6 miliard lekëve. Po a janë vërtetë këto detyrime të krijuara si rrjedhojë e Reformës Territoriale të 6 viteve më parë?
Për ekspertë të financave vendore, niveli i lartë i detyrimeve të prapambetura do të thotë më pak investime e shërbimeve në funksion të qytetarëve.
Gjatë diskutimeve në Komisionet për Ekonominë dhe Financat, kryetarët, por edhe Shoqata e Bashkive kërkuan, rritje të buxhetit në përgjithësi, shtim të fondeve për Emergjencat Civile, rritjen e fashës së përfitimit nga renta minerare, subvencionimin e TVSH-së në transportin publik si dhe zgjerim të financimeve për menaxhimin e mbetjeve dhe përkujdesjen sociale. (A2 Televizion)