
Bota mirëpriti vitin e ri 2023, me festë dhe fishekzjarrë në sheshet kryesore, dhe shpresën për fundin e luftës në Ukrainë dhe një rikthim në normalitetin e post pandemisë në Azi.
Festimet tradicionale në sheshin ikonë “Times Square” të Nju Jorkut, u rikthyen në magjinë e plotë pas dy vitesh kufizime, me mijëra njerëz që i uruan mirëseardhjen vitit të ri, me puthje, selfie dhe muzikën e Frank Sinatrës.
Londra mirëpriti vitin e ri me një spektakël të magjishëm fishekzjarrësh në lumin Tamiz, me orën ikonë Big Ben që bëri numërimin mbrapsht për në mesnatë. “Syri i Londrës” u bë blu dhe i verdhë në shenjë solidariteti me Ukrainën, ndërsa festimet ishin gjithashtu një homazh për mbretëreshën Elizabeta që vdiq në 8 shtator.
Rreth 1 milion njerëz u mblodhën në bulevardin e famshëm të Champs Elysse në Paris, për të ndjekur një spektakël madhështor fishekzjarrësh që zgjati 8 minuta. Pjesëmarrësit u lutën për paqe, lumturi dhe sukses në 2023-shin.
Në Berlin, festa u zhvillua pranë portës së Brandenburgut, me dhjetëra mijëra njerëz që ndoqën shfaqjen e fishekzjarrëve dhe u lutën për paqe në Ukrainë.
Ndërtesa më e lartë në botë, ajo e Burj Kalifes në Dubai ofroi spektakël madhështor dritash dhe fishekzjarrësh me rastin e vitit të ri. Në një shfaqje prej 10 minutash, Burj Khalifa u përcolli urimin për një vit të lumtur në gjuhën arabe angleze dhe kineze.
Rreth 2 milion brazilianë e turistë e pritën vitin e ri në plazhin e famshëm të Copagabanës, ndërsa qielli i natës u vesh me drita shumëngjyrëshe. Për Brazilin ishte një rikthim i shfaqjes tradicionale të fishekzjarrëve pas dy vitesh kufizime për shkak të pandemisë. Pjesëmarrësit u lutën për paqe, lumturi dhe sukses.
Edhe kinezët mundën të shijonin festimet si para pandemisë këtë vit, ndërsa heqja e shumicës së kufizimeve lejoi grumbullime masive në sheshet kryesore.
Zelanda e Re dhe Australia ishin mes të parave që i uruan mirëseardhjen vitit të ri, me shfaqje të magjishme fishekzjarrësh në Aukland dhe Sidnei. (A2 Televizion)