
Rreziku i koronavirusit nuk ka kaluar. Ulja e të prekurve të rinj nuk tregon gjendjen aktuale të infeksionit. Efektet e rihapjes dhe lehtësimit të masave, mjekët i presin në fund të majit, me një rritje tjetër të numrit të të infektuarve.
"Normal që do presim një rritje, puna është sa? Ajo është e lidhur me numrin e të infektuarve, ku 35% e tyre na dalin të sëmurë. Llogaria është shumë e thjeshtë, sa terapi intensive kemi, sa shtretër, sa respiratorë, në mënyrë që sistemi ta kalojë në mënyrë të rregullt. Nëse shifrat kalojnë kapacitetet që kemi do të vihemi në kushtet se kë do të zgjedhësh për të trajtuar. Këtu nuk duhet të arrijmë", deklaroi kreu i Urgjencës Kombëtarë, Skënder Brataj.
Kreu i urgjencës thotë se suksesi në këtë betejë do të varet vetëm nga zbatimi i masave. Për Skënder Bratajn nëse numri i të infektuarve i kalon parashikimet, atëherë autoritetet do të detyrohen të rikthejnë izolimin.
“R zero është raporti i infektimit. Gjermania me hapjen e masave e kaloi njëshin. Nëse do të na shkojë raporti sa ishte në fillim të epidemisë, asnjë sistem shëndetësor nuk do ta përballojë më. Nëse do të respektojmë rregullat dhe numri do të jetë i ulët, do të lirohen akoma masat, në të kundërt do të mbyllemi sërish pasi para jetës së njerëzve nuk ka asgjë më të rëndësishme", shtoi Brataj.
Në Urgjencën Kombëtare ka rënë ndjeshëm numri i thirrjeve për koronavirus. Nëse piku ishte në muajin mars me 8300 telefonata në ditë, sot në sallën operative mbërrijnë 2 mijë thirrje nga i gjithë vendi nga të cilat 100 janë për Covid.
Gjatë dy muajve pandemi 81 mijë persona kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shqetësime në lidhje me koronavirusin, Tirana kishte ngarkesën më të madhe me 60% të thirrjeve në rang vendi dhe me 100 kërkesa në ditë për kryerje tamponi. (A2 Televizion)