
Kryeministri Edi Rama u ka dhënë përgjigje pyetjeve në lidhje me aplikimin për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, duke sqaruar se e gjithë procedura e marrjes së dokumentit mund të bëhet “online”, përmes shërbimit e-Albania.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se pas aplikimit në rrugë elektronike, policia ka 8 ditë afat të kryejë verifikimet. Aplikuesi duhet të dërgojë të dhënat dhe një fotografi në e-Albania. Nëse kërkesa miratohet, aplikanti njoftohet me mesazh për ditën kur e tërheq dokumentin, pasi duhet t’i merren edhe shenjat e gishtërinjve.
Kur paraqitet fizikisht, personi duhet të ketë me vete kuponin që duhet ta marrë në postë si dhe dokumentin e vjetër. Në rast se ky dokument nuk disponohet, duhet një vërtetim nga komisariati i policisë për mungesën e mjetit të vjetër të identifikimit. (A2 Televizion)