
Me fillimin e korrikut Shqipëria dhe veçanërisht bregdeti i jugut pritet të mbushet me pushues vendas por edhe nga një numër gjithnjë e më i madh turistësh, diçka që e bën të nevojshëm shërbimin mjekësor në ato fshatrat turistike.
Në Vlorë, autoritetet po përgatiten duke hapur 9 qendra shëndetësore verore, që kanë çelur dyert prej 15 qershorit e do të qëndrojnë në dispozicion deri në 15 shtator, kur pritet të ulet ndjeshëm fluksi.
Zvërnec, Plazh i Vjetër, Radhimë, Orikum, Drimadhes, Dhërmi fshat, Himarë dhe Qeparo, janë pikat ku janë vendosur këto qendra shëndetësore, që mbulojnë edhe destinacionet e preferuara të atij bregdeti.
Qendrat shëndetësore janë pajisur me një staf mjekësor i përbërë nga të paktën nga 2 persona, mjekë dhe infermierë.
Sigurimi i stafit ka qenë një nga problemet më të mëdha në këtë projekt dhe mësohet se është plotësuar vetëm me kthimin në detyrë të 10 punonjësve të dalë në pension.
Aktualisht, situatë në këto qendra paraqitet e qetë, falë edhe fluksit ende të përballueshëm të turistëve. (A2 Televizion)