Edhe pse jemi një vend i vogël, sërish gjen mrekulli të tilla natyrore që janë thuajse të panjohura jo vetëm për turistët dhe vizitorët por edhe për banorët e zonave urbane që ndodhen pak kilometra larg. I tillë është fshati Mazrek, vetëm 20 kilometra nga Shkodra.
Sikur të mos mjaftojë natyra dhe gjithçka që zoti i ka falur kësaj zone, në Mazrek ndodhen edhe rrënojat e një manastiri që mendohet të jetë ndërtuar 9 shekuj me parë në shekullin e 12.
Po cila është e kaluara e këtyre rrënojave dhe vlera e tyre kulturore e historike. “Një manastir i tipit benedektin shumë i rëndësishëm në periudhën mesjetare, që përmendet në të gjithë analet kishtare, veçanërisht kur zona ishte nën sundimin e Balshajve. Pas shekullit të 17-të kisha nuk ka shërbyer më për ceremoni fetare”, thotë arkeologu Helidon Sokoli.

Shpopullimi i zonës ka sjellë për pasojë edhe mungesën e interesimit dhe mirëmbajtjes jo vetëm të rrugës që të çon në Mazrek por edhe të këtyre rrënojave. Fatmirësisht një banor i zonës po përpiqet i vetëm të bëjë sa mundet për të nxjerrë ne pah rrënojat dhe për të ruajtur atë që ka mbetur.
Ndërsa një tjetër vizitor që rikthehet në këtë vend pas 32 vitesh apelon për ruajtjen e kësaj pasurie shumëdimensionale. “Istitucionet duhet të jenë më të vëmendshme”, thotë ai.
Shpresojmë që projekti i miratuar për ruajtjen dhe konservimin e rrënojave të Manastirit të Mazrekut të vihet sa më shpejt në zbatim, dhe kjo zonë të kthehet në një destinacion natyror dhe historik. (A2 Televizion)