







Tre persona, mes tyre dy punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, u arrestuan pas një operacioni të Policisë së Krujës për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike.
Efektivët zbuluan se, në zonën e mbrojtur mjedisore Krastë, një tunel i vjetër i ushtrisë shqiptare ishte shndërruar në një ambient për kultivimin e kanabisit me anë të llambave.
Policia tha se gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
“Në vijim të operacionit, falë punës hetimore, mbështetur dhe në inteligjencën policore, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar, shtetasit: H. S., 61 vjeç dhe R. H., 58 vjeç, të dy banues në banues Halil, Krujë, si dhe A. S., 21 vjeç, banues Fushë Krujë. Nga hetimet rezultoi se shtetasi A. S. ushtronte edhe veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit”, tha policia.
Policia zbuloi se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.
“Për këtë arsye u bë arrestimi i punonjësve së OSHEE-së, shtetasve O. F. dhe E. H., me detyrë punonjës të OSHEE-së Fushë Krujë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës". Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së, shtetasi S. K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së (i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri) dhe shtetasi E. K., me detyrë elektricist i zonës. Vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike", "Vjedhja e energjisë elektrike", "Organizimi i lojërave të fatit” dhe "Shpërdorimi i detyrës". (A2 Televizion)