Britania kërcënon Rusinë: Pasoja të rënda nëse pushton Ukrainën

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2021, 08:39 | Bota

Britania e Madhe paralajmëron Rusisë se do të përballet me “pasoja të rënda ekonomike” nëse pushton Ukrainën. “Do të ishte një gabim strategjik”, tha ministrja e jashtme, Liz Truss, duke shtuar se vendet e G7-ës që mblidhen në Liverpul këtë javë do të tregojnë unitet lidhur me këtë çështje.

Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj do të tentojnë të ndalojnë Rusinë që të ndërmarrë rrugën e pushtimit të Ukrainës. Tensionet sa vijnë e shtohen, teksa Moska shton trupat në kufijtë e Ukrainës, por Kremlini ka mohuar planet për një ofensivë ushtarake. Një paralajmërim për pasoja të rënda ekonomike, Rusia e mori edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës disa ditë më parë.

Megjithatë, frika për luftë mbetet e madhe. Benzinë zjarrit i shtoi zbardhja e telefonatës mes presidentit Joe Biden dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ku nuk u deklarua mbështetja për aspiratat e Ukrainës për t’u bërë një anëtar i NATO-s. Ky është edhe problemi më i madh i Putin, i cili disa herë ka përsëritur se zgjerimi i aleancës ushtarake më në lindje është një vijë e kuqe për të.

Pas këtij lajmi, ishte Putin që reagoi “pa doreza”, praktikisht duke paralajmëruar një pushtim të territoreve të Ukrainës ku janë ngritur prej 7 vitesh lëvizje separatiste. “Dua të them se rusofobia është hapi i parë drejt gjenocidit. Ajo që po ndodh tani në Donbas, mund ta shohim fare qartë, e dimë, e duket si gjenocidi që ju sapo përmendët”, u tha Putin anëtarëve të këshillit rus për të drejtat e njeriut. “Duhet të veprojmë me shumë kujdes”.

Ukraina akuzon Rusinë se ka mbledhur dhjetëra mijëra trupa në kufi dhe po përgatit një sulm të plotë ushtarak, duke bërë që të shtohet frika për një luftë të mirëfilltë që mund të përfshijë jo vetëm dy shtetet fqinje.

Rusia mohon se po planifikon të sulmojë, por akuzon Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të destabilizojnë rajonin. Putin ka kërkuar garanci që NATO nuk do të zgjerohet në lindje, por Ukraina thotë që asnjë vendim nuk mund të miratohet pa pjesëmarrjen e saj.

Në terren, situata vijon të jetë e tensionuar. Forcat e armatosura separatiste në Donbas, vijojnë të qëndrojnë në llogore dhe thonë se kanë humbur shpresën për një zgjidhje paqësore të konfliktit. “Pala tjetër kërkon vetëm hapësira për të shkelur marrëveshjen e Minskut, nuk dëshiron paqe. Putin është njeri realist, ai e bën mjaft mirë punën e tij. Ndërsa fjalët boshe të amerikanëve nuk të çojnë gjëkundi”, thotë një ushtar separatist për Reuters. “Kudo ku shfaqen amerikanët ka luftë, kështu do të shkojë puna edhe në Ukrainë, madje ka filluar tashmë”.

Lidhjet miqësore mes Ukrainës dhe Rusisë u shpërbënë plotësisht pasi Putin aneksoi Krimenë në vitin 2014, ndërsa në territoret kufitare u ngritën lëvizje separatiste të mbështetura nga rusët. Sipas autoriteteve në Kiev, nga ky konflikt kanë humbur jetën 14 mijë persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos