
“Ky është një zhvillim tradicional për vendet e Ballkanit. Kemi pasur edhe raste të tjera kur vendet e Ballkanit kanë përdorur veto të njëjtë. Edhe për Maqedoninë apo dhe për njëri-tjetrin. Risia te Bullgaria është se për herë të parë erdhi një qeveri që nuk përfaqëson atë që quhet establishmenti i vjetër politik, por një grup që konsiderohej më Europian. Pritej që të kishin një sjellje krejt tjetër. Fakti që dominojnë interesat kombëtare dhe lokale lidhet pastaj me pozicionin e Bullgarisë në një konflikt të madh që po lind mes Rusisë dhe BE. Duhet parë në këtë lloj konteksti dhe jo në kontekstin e një vendi përgjegjës me një vend tjetër. Në fund fare, janë politikanët që llogarisin vendimet e tyre dhe gjithçka e lidhin me përkrahjen publike”.
Kështu u shpreh në studion e Absolut 4 studiuesi Afrim Krasniqi teksa foli për Samitin e Brukselit dhe për veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila rrjedhimisht nuk lejoi hapjen e negociatave as për Shqipërinë.
Krasniqi theksoi se nuk duhet të harrojmë se ishte Shqipëria që e mbajti peng Maqedoninë e Veriut deri një vit më parë.
“Në këto rrethana, ne na shqetëson se Shqipëria mbetet peng, por të mos harrojmë se deri para një viti, ne e mbanim peng Maqedoninë e Veriut për shkak të kritereve. Ka një konsensus, që nëse deri në dhjetor Maqedonia e Veriut nuk gjen një zgjidhje, atëherë Maqedonia e Veriut do të kërkojë distancimin nga Shqipëria.
Negociatat besoj do të vazhdojnë, por edhe kjo ideja e minutës së fundit nuk më pëlqen sepse duket sikur diplomacia është çështje e ofertave të minutës së fundit dhe jo e parimeve. Në fakt, unë dua ta shoh si çështje parimesh. BE ka nevojë për një reformim të plotë, duhet ta shoh që ka ndryshuar qasja e BE me vendet anëtare dhe ne duhet të ndryshojmë, të mos e konsiderojmë më si më parë, dua të shoh se kur dikush shprehet kundër dhe ka kritika, nuk është armik, por si një vend që ka një opinion tjetër dhe më të cilën duhet të negociohet.
Nëse Bullgaria po bën llogaritë me interesat e saj që bien në kundërshtim me interesat tona, ne duhet të kemi qetësinë e duhur për t’i parë dhe për të ngritur zërin për të drejtat tona që na përkasin, pa lejuar të kalojmë limitet për t’u bërë si ata udhëheqësit botërorë që përdorin internetin dhe mediat, bëjnë deklarata që pas disa vitesh do t’iu vijë turp që i kanë thënë”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)