
Paralelisht me ngadalësimin e rritjes ekonomike, janë shtuar edhe rreziqet për stabilitetin financiar të vendit. Banka e Shqipërisë vlerëson në raportin e fundit se ekspozimi nga rreziqet që vijnë nga mjedisi i jashtë është shtuar, për shkak të ngadalësimit të partnerëve tregtarë. Kjo situatë mund të çojë në rënie të kërkesës së ardhshme për eksporte, si dhe mund të rrisë kostot e jashtme të financimit.
Sa i takon rreziqeve nga ekonomia e brendshme, Banka i vlerëson në rënie gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018, por pret që kriza politike e këtyre muajve të fundit të ndikojë ndjeshëm në stabilitetin financiar të vendit.
Në rritje shihen edhe rreziqet që vijnë nga bizneset, bazuar mbi përkeqësimin e pritjeve të sipërmarrjes dhe tkurrjes së kreditimit për këtë segment.
Sakaq BSH tregon se rreziku nga individët është i pandryshuar, ndërsa në sektorin e qeverisë vlerësohet i ulët dhe në rënie, për shkak të rënies së borxhit qeveritar në raport me PBB, ndikuar edhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Ndërkohë, sektori bankar shihet si i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar. (A2 Televizion)