
Bullgaria reagoi me habi ndaj rezultatit të censusit për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Jashtme e konsideroi një surprizë të madhe faktin që vetëm 3 mijë e 504 persona janë deklaruar si bullgarë.
Sofja zyrtare thotë se ky është një kontrast shumë i madh me aplikimet për pasaporta bullgare nga persona që jetojnë në Maqedoni të Veriut.
“Vërejmë një mospërputhje drastike mes këtyre të dhënave me numrin e mbi 100 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët personalisht kanë dorëzuar dokumente që vërtetojnë origjinën bullgare për të marrë nënshtetësinë bullgare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Sofjes.
Shteti bullgar thotë se duhet një analizë serioze për faktit se 132 mijë banorë janë regjistruar në bazë të dhënave të mëhershme dhe jo fizikisht në terren, duke mos u përcaktuar përkatësinë etnike apo fetare. Ndërkohë, nga censusi Maqedonia e Veriut regjistron rreth 2.1 milionë banorë, nga të cilët 54% ishin maqedonas dhe rreth 30 për qind shqiptarë. (A2 Televizion)