
45% e nxënësve në shkolla ndihen të bullizuar. Shifrat mund të jenë edhe më të larta pasi jo të gjithë fëmijët e denoncojnë fenomenin.
Dhuna mes disa adoleshenteve pak ditë më parë e cila u bë publike edhe në rrjetet sociale, ka tronditur mbarë opinionin publik.
Por psikologët thonë se bullizimi është prezent çdo ditë dhe shumë më agresiv se më përpara. Prindërit kërkojnë më shumë nga shkollat.
Sipas tyre, psikologët duhet të angazhohen realisht për të luftuar fenomenin jo vetëm mes fëmijëve, por edhe në raportet mësues - nxënës.
Për psikologen Denada Toçe, ndodhemi në një situatë emergjente, ndaj kërkohet kujdes i shtuar nga familja dhe shkolla.
Bullizmi është një nga fenomenet më delikate sipas saj për shëndetin mendor të fëmijëve. Rreth 630 psikologë dhe punonjës socialë punojnë pranë institucioneve arsimore për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve.
Por për ekspertët dhe prindërit kjo nuk mjafton pasi nevojiten politika dhe modele të tjera për të luftuar dhunën brenda shkollave. (A2 Televizion)