
“Nuk ka asnjë marrëveshje sekrete dhe se çfarë do të bëhet me Butrintin e vendosim ne që kemi shpëtuar Butrinin nga ju”, tha Rama në Kuvend.
Projektligji për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit ishte shkaku që salla e seancës plenare të përfshihej në debatin e radhës ndërmjet Kryeministrit dhe opozitës. Institucioni në të cilën duhet të mbizotëronte mendimi intelektual, kaloi në zhargonin e kafeneve të Tiranës.
Edi Rama: Unë e shpjegoj ndryshe edhe këtë degradim tëndin. E shpjegoj si degradimin e pa shmangshme si të qenit pjesë e një kopeje ku budallallëku është sëmundje ngjitëse.
Enkelejd Alibeaj: Tha 13 herë fjalën budalla, budallenj, kopeja etj. Ndjej keqardhje për gjendjen mendore të tij.
Edi Rama: Nuk i thash asnjërit nga ju t’i je budalla dhe nëse ju u ndjetë për një moment dele apo çfarëdolloj që një tjetër që futet në kope ky është problem juaj. Nëse dikush më thotë budalla unë se kam problem, ky është një opinion.
Nga opinionet për sjelljen apo gjendjen mendore të njëri-tjetrit, debati u përzje edhe me situatën brenda Partisë Demokratike. Kryeministri vijon të mos artikulojë emrin e Sali Berishës, duke e thirrur në epitetin që i ka vendosur tashmë prej disa seancash.
Edi Rama: Ai i vdekur komplet u çua dhe ju mori përpara ju. Ata që e dinë atë për të gjallë, më mirë po shkojmë me këtë sepse ky është origjinali. Ju jeni kopje të zbehta dhe të shëmtuara të tij.
Edmond Spaho: Këtë që e ka vënë si këshilltar të pavarur, Richard Hodges e ka pasur këshilltar ndërkombëtar kur ishte Ministër kulture dhe ia paguante Sorosi.
Edi Rama: Në këtë luftën tuaj absurde një i vdekur që ju e dini të gjallë, ca të gjallë që janë më i vdekur se i vdekuri dhe kërkoni ju të na tregoni se si bëhet parku i Butrintit. O vdeksha unë për ju.
Me këtë batutë, Rama u largua nga salla dhe bashkë me të u shua edhe përplasja me opozitën. (A2 Televizion)