Kuvendi i 30 prillit, Bardhi: Tubim për të përçarë PD-në dhe për ta lënë në opozitë  

Nga A2 CNN
28 Prill 2022, 10:51 | Politikë
Kuvendi i 30 prillit, Bardhi: Tubim për të përçarë

Tubim për të përçarë PD-në e ka konsideruar Gazment Bardhi Kuvendin e 30 prillit të thirrur nga Sali Berisha. Në një deklaratë për mediat, para seancës parlamentare, Bardhi deklaroi se një pjesë e PD-së nuk duan bashkimin e saj, por duan ta zvogëlojnë dhe ta lënë në opozitë. Ai foli gjithashtu edhe për platformën e bashkimit të demokratëve. Sipas Bardhit, janë 32 deputetë të PD-së të cilët kanë shprehur qëndrimin e tyre pro platformës për bashkimin e PD-së.

“Ka një miting, apo një tubim tjetër të organizuar në mënyrë të njëanshëm si një hap për të përçarë PD-në. Ka një platformë të shumicës dërmuese të PD-së, e cila është bërë publike dhe është një akt konkret për të arritur bashkimin e demokratëve. Ka një pjesë brenda PD-së që nuk e duan bashkimin dhe duan ta lënë të zvogëluar dhe në opozitë PD-në. Qëndrimet nuk votohen, por shprehen. Çdo deputet i cili i ka vënë emrin asaj platforme ka shprehur qëndrimin e tij. Vendimet merren nga institucionet e partisë. Ne deputetët kemi shprehur qëndrimin tonë si gjykon grupi parlamentar si mund të arrihet bashkimi i demokratëve.

Secili prej deputetëve ka shprehur qëndrimin e tij, ka shprehur atë qëndrim, para 52 anëtarëve të grupit të PD-së dhe ai qëndrim është shprehur dhe me shkrim nga kryetari i grupit. Nëse dikush kërkon t’i kthejë deputetet e PD-së në karagjozë, kjo është zgjedhje. Asnjë prej tyre nuk është tërhequr. Ashtu si zoti Alibeaj, secili prej deputetëve ka pasur propozime shtesë. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i grupit. Edhe unë kam pasur propozime të tjera. E rëndësishme është që për ato 5 çështje, 32 deputetët që i është lexuar emrin kanë pasur qëndrim për bashkimin e PD-së. Forumet mblidhen sa herë ka çështje për të diskutuar. Ka pasur një vendim që në të njëjtën linjë me grupin parlamentar ka bërë në datën 21 mars një qëndrim konkret për bashkimin e demokratëve dhe ajo thirrje është refuzuar nga ajo pjesë e PD-së që kërkon të mbajnë PD-në të përçarë dhe në opozitë për interesa të një individë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos