Flakët shkrumbojnë 5 shtëpi në Gjorm të Vlorës, banorët: Situata është katastrofike. Dy vajza dërgohen për ndihmë mjekësore

Nga A2 CNN
5 Gusht 2021, 12:05 | Aktualitet

Është përkeqësuar situata nga zjarret në qarkun e Vlorës. Flakët kanë shkrumbuar 5 shtëpi në një lagjen Neshtë të Gjormit, ndërkohë që 10 familje janë përfshirë nga flakët. Sipas banorëve, situata është alarmante. Për A2 CNN, ata shprehen se të 10 familjet në këtë lagje janë shkrumbuar nga flakët, por nuk ka të lënduar në njerëz.

“Shtëpitë janë djegur të gjitha. Më është shkrumbuar shtëpia. Janë 4-5 shtëpi, lagjja ka 10 familje. Besoj se janë shkrumbuar të gjitha. Kanë ndërhyrë me helikopter, por nuk kanë bërë asgjë”, shprehet një banor.

Një tjetër banor, shprehet se kjo situatë është katastrofike, pavarësisht ndërhyrjes. Sipas tij, një zjarr i përmasave të tilla nuk ka ndodhur asnjëherë, ndërsa shton se pavarësisht se i ka shpëtuar banesa i janë djegur bagëti dhe pemë.

“Mora vesh dhe erdha. Është një familje nga Librazhdi që kam në shtëpi. Vetëm banesa nuk është djegur, por të gjitha janë djegur me bagëti, pemë. Situata është katastrofike, pavarësisht ndërhyrjes.  Një zjarri i përmasave të tilla nuk ka ndodhur asnjëherë”.

https://youtu.be/M8mp9V8mF4c

Gazetarja e A2 CNN, Jerola Ziaj, raporton se dy vajza të cilat ishin me bagëti janë dërguar për ndihmë mjekësore, ndërsa janë djegur stane dhe banesa.

Ndërkohë punonjësit e zjarrfikëses po mundohen të shuajnë flakët me pompë dore. Një zjarrfikës i Selenicës shprehet për A2 CNN se situata ka dalë jashtë kontrollit. (A2 Televizion)

https://youtu.be/yTc7qfyMROk

A2 CNN Livestream

Latest Videos