
Nga njësia nr. 3, ku po zhvillon dëgjesa publike me banorët për projektbuxhetin 2026, kryeministri Edi Rama komentoi sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn, duke rrëzuar shkarkimin si kryebashkiak i Tiranës nga Këshilli i Ministrave dhe dekretin e presidentit për zgjedhjet e parakohshme.
Rama përsëriti qëndrimin e tij se Kushtetuesja, pas lënies në krye të Tiranës, duhet që ta kthejë Veliajn edhe në zyrë, pasi, sipas tij, asnjë qytet dhe aq më pak kryeqyteti, nuk mund të drejtohet me telekomandë apo delegim.
"Asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë apo delegim. Pavarësisht punës së madhe të Anuelës (Ristani) me nënkryetarët, qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që ta drejtojë atë. Pavarësisht përpjekjes që bëmë nuk ia dolëm se Gjykata Kushtetuese refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë, duke pamundësuar kryetarin e bashkisë për të qenë në detyrë dhe duke përcaktuar që nuk është e drejta e këshillit bashkiak dhe qeverisë që të hapin rrugën e zgjedhjeve. Duke e larguar kryetarin për sa kohë ka munguar se nuk i është dhënë mundësia që të vijë. Vendim gjykate që ne e respektojmë, madje nuk kam asnjë arsye të besoj se Gjykata Kushtetuese ka bërë politikë në këtë rast. Kam arsye të besoj se Gjykata ka menduar ndryshe, por mendimi ndryshe i gjykatës të çon në konkluzionin, kur kryetari i bashkisë shkon atje për të kërkuar për ta kthyer në zyrë, duhet ta kthejë në zyrë, sepse vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë se ai është i zgjedhur. Atëherë ta kthejë në zyrë që të normalizohet një situatë që është çdo ditë e më e vështirë për kryeqytetin”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)
