
Ogerta Manastirliu do të mbetet kandidatja e Partisë Socialiste për të drejtuar bashkinë e Tiranës, kurdo që të mbahen zgjedhjet. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë takimit me qytetarët e Njësisë 3 në kryeqytet në turin e dëgjesave publike për projektbuxhetin 2026.
“Njerëzit që jetojnë në këtë qytet duan shërbimet, rrugën, kopshtin, çerdhen, pastrimin etj., gjë që ne duhet të bëjmë çmos t’i kenë dhe duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e kësaj detyre, jemi edhe sot këtu, së bashku me Ogertën që ishte dhe mbetet kandidatja jonë për të drejtuar Tiranën kur të vijnë zgjedhjet së bashku me Delinën, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit që ka barrën e drejtimit politik të skuadrës së deputetëve apo të përfaqësuesve të PS në këtë njësi dhe natyrisht së bashku me ju”, theksoi Rama, raporton A2 CNN.
Kujtojmë që kryeministri Rama e prezantoi Ogerta Manastirliun si kandidate për Tiranën në shtator gjatë Asamblesë Socialiste, dhe që prej atëherë ka vijuar fushatën, pavarësisht pezullimit të dekretit për zgjedhjet në kryeqytet. (A2 Televizion)
