Buxheti i Mbrojtjes, Rama: Rrisim pagat, Kuçova qendra e Forcave Ajrore

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2018, 13:34 | Aktualitet
MIG të parkuar në bazën e Kuçovës

Mbi 50 milionë euro do të shpenzohen për të shndërruar Kuçovën në bazën më të re të NATO-s në Evropë dhe në qendrën e forcave ajrore shqiptare. Kryeministri Rama ka dhënë detaje të mëtejshme mbi bazën ajrore, gjatë prezantimit të buxhetit të ardhshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kryeministri deklaroi që ky investim do të krijojë  “mundësi të reja, ku ndërtimi i një baze ajrore të teknologjisë se fundit do të thotë më shumë punësim dhe ekonomi në një rreze të caktuar rreth saj”.

Sipas Ramës, buxheti për Mbrojtjen në vitin 2019 do të arrijë në 22 miliardë lekë, me një rritje 10% nga viti i kaluar.

Edi Rama gjatë prezantimit të buxhetit 2019 të Ministrisë së Mbrojtjes

Për kryeministrin shqiptar, buxheti i shtuar dhe bashkëpunimi me forcat aleate do të mundësojë edhe përmirësimin e bazave të tjera, si për shembull ajo e Farkës, në afërsi të kryeqytetit, si dhe një rritje domethënëse të pagave të FA.  

Projekti që do të shndërrojë pamjen e bazës së Kuçovës pritet të fillojë brenda vitit.  Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n në lidhje me furnizim ajror, mbështetjen logjistike dhe për policimin ajror, si dhe për trajnime dhe stërvitje të Aleancës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos