Buxheti pa paketë fiskale, Tabaku: Mbledhja antikushtetuese, shkel çdo ligj

Nga A2 CNN
26 Tetor 2022, 12:41 | Politikë
Buxheti pa paketë fiskale, Tabaku: Mbledhja antikushtetuese, shkel

Teksa në komisionin e Ekonomisë, Ministrja e Financave prezantonte buxhetin, deputetja demokrate Jorida Tabaku ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku e quan mbledhjen antikushtetuese.

Qeveria nuk ka sjellë në Kuvend asnjë prej ligjeve të paketës fiskale, diçka që Tabaku e konsideron një shkelje të ligjeve, duke lajmëruar se buxheti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, nëse nuk ka një ripërsëritje të mbledhjes së sotme.

“Mbledhja ishte antikushtetuese. Ministrja prezantoi projekt buxhetin pa prezantuar ligjet fiskale se sa dhe si do jenë taksat e shqiptarëve gjatë vitit të ardhshëm. Në një vit kur të gjithë duhet të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë, qeveria ka një arrogancë, shkel ligjin dhe nuk sjell në Parlament ligjet fiskale. Deputetët nuk mund të jenë noterë që dëgjojnë deklarata për shtyp të një ministreje, parlamenti nuk mund të trajtohet si noter dhe nuk mund të shpërfillet puna e deputetëve duke i rreshtuar dhe të dëgjojnë çfarë ka për të thënë ministrja. Në emër të PD do e çojmë buxhetin në Gjykatën Kushtetuese nëse kjo mbledhje nuk përsëritet. E thonë një sërë ligjesh e rregullash që i japin vlerë parlamentit për të diskutuar buxhetin, kjo shkelje është një nga arsyet që qeveria e konsideron atë si një vartës të tij. Në jemi këtu për të diskutuar ligjet fiskale dhe buxhetin, për të parë si qeveria do rrisë taksat, por nuk mund të miratohen ligje që nuk janë depozituar, i bëj thirrje kryetares së kuvendit që ta quajë të paligjshme mbledhjen e Kuvendit për buxhetin”, tha Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos