
Greqia dhe Turqia arrijnë marrëveshje për njohjen reciproke të vaksinave të përdorura në të dyja vendet, çka do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të vaksinuar.
Turqia po përdor vaksinat kineze dhe ruse për imunizimin masiv të popullsisë. Marrëveshja u arrit gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në Athinë, që synon zbutjen e tensioneve mes dy aleatëve të NATO-s.
Ai u takua të hënën me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias. Në fokus të bisdimeve, sipas zyrtarëve grekë, ishin përgatitjet për një takim të mundshëm mes Mitsotakis dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan muajin e ardhshëm.
Zyrtarët thanë se bisedimet u zhvilluan në një klimë pozitive. Vizita në Athinë vjen pas një ndalese private në rajonin verilindor të Thrakisë ditën e diel, ku Cavusoglu zemëroi Greqinë pasi tha se anëtarët e një pakice myslimane në Greqinë veriore janë turq dhe se ata nuk gëzojnë të drejtat e plota qytetare. (A2 Televizion)