Çelaj: Valbona pret turistë, por nuk ka energji 24 orë në ditë

Nga A2 CNN
5 Qershor 2023, 14:47 | Aktualitet
Çelaj: Valbona pret turistë, por nuk ka energji 24 orë në

Deputeti demokrat Isuf Çelaj tha se, ndërkohë që zona e Valbonës pritet të mbushet me turistë, aty mungojnë investimet në rrjetin e furnizimit me energji elektrike.

“Është detyrë e qeverisë që t’iu sigurojë kushte për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm ku një nga më kryesorët është furnizimi me energji elektrike 24 orë, gjë e cila për këta banorë nuk u është siguruar megjithëse ata i paguajnë rregullisht faturat e majme të energjisë elektrike, linjat janë investime të vjetra e të shkatërruara zona prodhon energji, por energji nuk ka”, tha Çelaj në fjalën e tij në Kuvend.

“Dy herë është shpallur procedura nga OSSHEE dhe në të dyja herët është anuluar me justifikimin se gjoja nuk ka fonde nga thatësira apo situata energjetike në vend, ky veprim është një diskriminim i bërë nga kjo mazhorancë ndaj këtyre banorëve! Investimet private në hotele e bujtina  shtohen nga viti në vit prandaj nevoja për investime serioze në rrjetin e transmetimit e shpërndarjes së energjisë elektrike është urgjente, pasi turizëm me gjenerator nuk mund të ketë! Thirrja ime e ripërsëritur shkon për Ballukun e drejtuesit e OSHSEE që të finalizohet procedura për furnizimin me energji të fshatrave Klysyrë, Dragobi, Valbonë, Rrogam i Shalës e Çerem pjesë e bukurive natyrore e turistike të luginës së Valbonës!”.

Çelaj tha se një tjetër problem për zonën është gjendja shqetësuese në të cilën ndodhen drurët masive të gështenjës. “Sivjet në masivet e pyjeve të gështenjës u shfaq një insekt dëmtues shumë i rrezikshëm e quajtur grerëza aziatike (Dryocosmus kuriphilus), që shkakton rënien e prodhimit me 80%, duke i shkaktuar qytetarëve të komunitetit atje një dëm ekonomik deri 7 milionë euro në vit nisur nga të ardhurat  që sigurohen nga prodhimi i frytit të gështenjave, mjaltit dhe lëndës drusore për mobilieri etj”, tha Çelaj.

“Deri më tani, metoda më e efektshme për të luftuar këtë insekt shkatërrues të gështenjës është ajo e kontrollit biologjik i grerëzës aziatike ,që konsiston në instalimin e insektit (Torymus sinensis), një agjent i suksesshëm i kontrollit biologjik të Grerëzës, dhe për ketë kërkohet angazhimi i Ministrisë së Bujqësisë për sigurimin urgjent të këtyre insekteve nga jashtë, për shembull nga Italia që të bëhet e mundur luftimi me  sukses i kësaj sëmundje duke qene se fshatarët vet e kanë të pamundur ta bëjnë këtë gjë!”.

“Tropoja ka gjithsej diku rreth 2800 ha gështenja nga këto 2410 ha që janë administruar nga ish-ndërmarrjet Bujqësore të ndodhura në fshatrat Gegëhysen, Gri, Bujan, Markaj, masivet në zonën e Gashit si dhe afër 400 ha në Lekbibaj, Shipshan, Dushaj i Epër dhe Demaliaj-Pac. Ky burim natyror historikisht ka qenë pronë private, por sot asnjë fermerë nuk ka certifikatë pronësie për kashnjetin e tij. Komuniteti i fermerëve të gështenjës me mundësi jetese të kufizuara, që zotërojnë një sipërfaqen fare të vogël të tokës bujqësore për frymë, me mundësi shumë të kufizuara për zhvillimin e blegtorisë, pa asnjë mundësi punësimi, i vetmi burim i të ardhurave që siguron mbijetesën e shumë familjeve malësore është ky burim natyror, prandaj kërkohet vendosja dorë nga ana e shtetit për të bërë të mundur zgjidhjen e këtyre problematikave si për mbrojtjen e luftimin e sëmundjes së shfaqur por edhe në regjistrimin në pronësi të fermerëve të masivëve të gështenjave sipas kashnjeteve po ashtu mbrojtjen e luftimin e sëmundjeve që shfaqen herë pas here tek këto masive!”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos