
Vetëm 4 kilometra nga bashkia e Këlcyrës rreth 200 banorë të fshatit Beduqas, nuk mund të konsumojnë ujin që u vjen në rubinet, pasi sipas tyre vjen i ndotur, veçanërisht gjatë periudhave kur ka shira. Në të tilla kushte, një pjesë shfrytëzon lumin, të tjerë shesin qumështin dhe blejnë ujin.
“Shes dy bidonë qumësht marr dy bidonë ujë. Kaq e thjeshtë është, ta kuptojë populli”.
“E kemi me rërë e papastërtira”.
“Ku të vete? Ka gjunjë nëna të shkojë në lumë?”
Banorë të fshatit Beduqas
Banorët shprehen se ankesat e tyre nuk i dëgjon njeri dhe se ndihen të harruar nga institucionet.
“Nuk ankohem se nuk më dëgjon njeri, nuk më dëgjon për problemet e mia jo më për problemet e fshatit”.
“Kujt t’i thuash? Kujt t’i ankohesh? Kush vjen këtu që të ankohemi?”
“Se ky shtet na ka braktisur”.
Banorë të fshatit Beduqas
Për ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve të Këlcyrës, dezinfektimi i ujit kryhet rregullisht, por pas ankesave të banorëve do të verifikojnë sërish gjendjen e ujit.
“Bëhet dezinfektimi me klor në depo periodikisht. Nga analizat ka dalë që është i pijshëm. Nëse qëndron ky pretendim do të shkojmë ta verifikojmë dhe të marrim masa”.
Dhurata Aliaj, përgjegjëse e UK Këlcyrë
E derisa ndërmarrja të marrë masat, disa prej banorëve kanë hequr dorë fare të furnizohen nga ujësjellësi.
“Nuk më intereson fare mua për ujin. E pashë që më erdhën ca fatura shumë dhe e mbylla se kam pusin”.
Banore e fshatit (A2 Televizion)