Një vit pas kthimit mbrapsht të 102 kontejnerëve të dyshuar me mbetje të rrezikshme nga Tajlanda në Porto Romano të Durrësit, qeveria po përpiqet të mbyllë “shtigjet” e importeve dhe eksporteve me ligj. Në konsultim publik është hedhur projektligji “Për eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme”, një përpjekje për të vendosur rregulla më të qarta në një fushë ku Shqipëria është përballur me dyshime, polemika dhe pasiguri të mëdha.
“Projektvendimi, propozohet të hyjë në fuqi pas botimit ne Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026, me qëllim që ti jepet koha e nevojshme subjekteve që importojnë apoeksportojnë kimikate apo artikuj që përmbajnë kimikate të rrezikshme, apo të interesuarve të tjerë që të njihen me listat e reja të kimikateve dhe të sigurojnë zbatimin e legjislacionit përkatës.”
Sipas relacionit të projektligjit, gjobat për importin e mbetjeve të rrezikshme 7-fishohen. Gjobat thuhet në nenin 77 do të nisin nga 1 milionë lekë dhe maksimumi do të jetë 20 milionë lekë, në varësi të shkeljes. Ndëshkimi më i madh prej 20 milionë lekë është parashikuar për ata që importojnë apo tranzitojnë mbetje të rrezikshme ose jo.
“Ky projektligj është një hap i rëndësishëm, pasi synon përafrim me direktivat e Bashkimit Europian. Pjesa më e fortë është piramida e menaxhimit të mbetjeve, e cila nis me parandalimin, vijon me ripërdorimin, riciklimin, rikuperimin dhe si alternativë të fundit trajtimin përfundimtar. Kjo do të thotë që mbetja të shihet si burim, jo vetëm si problem”, thotë Mihallaq Qirjo, Qendra Burimore Mjedisore.
Me projektligjin e fundit të miratuar nga qeveria që pritet të nisë shqyrtimin edhe në Kuvend, synohet përafrim me direktivat e BE. Konkretisht piramida e menaxhimit të mbetjeve do të nisë nga parandalimi, ripërdorimi, riciklimi, rikuperimi, trajtimi përfundimtar.
“Është e rëndësishme që Shqipëria të ketë mekanizma të qartë kontrolli, sepse rastet e së kaluarës tregojnë se vendi ynë shihet shpesh si ‘portë hyrëse’ për mbetje nga jashtë. Me rritjen e gjobave dhe forcimin e legjislacionit, jepet një sinjal i qartë: importi i mbetjeve të rrezikshme nuk do të tolerohet më”, shprehet Mihallaq Qirjo, Qendra Burimore Mjedisore.
Ky ashpërsim vjen edhe për shkak të ngjarjes së gushtit 2024 ku ngarkesa me mbetje të dyshuara të rrezikshme ishte nisur drejt Tailandës pa lejet përkatëse, dhe aktualisht është në hetim nga drejtësia. (A2 Televizion)