Kontrolle në vijën bregdetare, bllokohen 8 mjete lundruese, ndëshkohen drejtuesit

Nga A2 CNN
5 Qershor 2023, 10:48 | Aktualitet
Kontrolle në vijën bregdetare, bllokohen 8 mjete lundruese,

Policia Kufitare ka bllokuar nga Saranda deri në Shëngjin, 8 mjete lundruese, që përfshijnë 5 “Jet Ski”, 2 gomone dhe 1 skaf, ndërsa ka ndëshkuar me nga 100 mijë lekë të rinj drejtuesit e tyre.  

Që në nisje të sezonit veror, Policia ka vijuar kontrollet intensive në të gjithë vijën bregdetare të vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve dhe krimeve detare, si dhe për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit nga shtetasit që përdorin mjete lundruese.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë vijuar kontrollet intensive në të gjithë vijën bregdetare të vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve dhe krimeve detare, si dhe për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit nga shtetasit që përdorin mjete lundruese. Këto kontrolle, në koordinim me shërbimet e drejtorive vendore të Policisë Durrës dhe Vlorë dhe të komisariateve në varësi të tyre, me objektivin kryesor, garantimin e një sezoni turistik të sigurt.

Si rezultat, janë bllokuar 8 mjete të tjera lundruese, konkretisht:

-Në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, Durrës, u bllokua një mjet argëtimi “Jet Ski”, që lundronte jashtë zonës së përcaktuar dhe ishte rrezik potencial për sigurinë e pushuesve. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë të rinj;

-Në afërsi të portit të Durrësit, u bllokuan 2 mjete të tjera lundruese argëtimi “Jet Ski” që drejtoheshin pa dokumentacion e nevojshëm në bord, Secili prej drejtuesve të tyre u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj;

-Në zonën e quajtur “Currilat”, Durrës, u bllokuan 2 mjete lundruese gomone që drejtoheshin pa dokumentacion e nevojshëm në bord. Secili prej drejtuesve të tyre u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj;

-Në Dhërmi u bllokua 1 mjet lundrues argëtimi “Jet ski”, drejtuesi i të cilit kreu manovra të rrezikshme në det dhe për pasojë ishte rrezik potencial për sigurinë e pushuesve;

-Gjithashtu në Dhërmi u bllokua 1 mjet lundrues Skaf, pasi drejtuesi i tij e ushtronte veprimtarinë e lundrimit, i palicencuar. Për këtë shkelje, ky shtetas u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj;

-Në Sarandë u bllokua 1 tjetër mjet lundrues argëtimi “Jet Ski”, që drejtohej pa dokumentacionin e nevojshëm në bord. Drejtuesi i tij u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj.

Policia Kufitare apelon për pronarët dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të zbatojnë me korrektesë, kërkesat ligjore për daljen në det, për pajisjen me dokumentacionin përkatës, si dhe për të gjithë ata shtetas që përdorin mjete lundruese argëtimi, apelon që të tregojnë kujdes dhe të mos cenojnë zonat e sigurisë së pushuesve në plazhe.

Policia Kufitare është e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër, do të intensifikojë kontrollet dhe monitorimin nga toka dhe në det, të të gjithë vijës bregdetare. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos