
Në Vlorë është çelur fushata për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, por ndryshe nga herët e tjera, nuk ishte prezent deputeti i këtij qarku dhe njëkohësisht kryeministri i vendit Edi Rama. Ky i fundit ka zgjedhur të mungojë edhe në festën e ditëlindjes së Partisë Socialiste për të qenë në Divjakë dhe Lushnje.
Ndërkohë në Vlorë ishte përgjegjësi politik për qarkun Damian Gjiknuri, i cili nuk anashkaloi dekretin e Metës për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve lokale. Sipas Gjiknurit ka përfunduar koha e fjalëve dhe është radha e veprave
“Dekreti i Presidentit, siç thotë një shprehje e popullit është një vrimë në ujë. Nuk ka asnjë vlerë juridike. Koha e fjalëve ka mbaruar. Ne ofruam çdo mundësi për dialog. Tentativat për të penguar zgjedhjet janë të kota. Ka ardhur koha e veprave. Vepra jonë e vetme është të dalim në votime dhe të japim votën tonë pro stabilitetit, pro zhvillimit evropian të Vlorës”, u shpreh ish ministri Gjiknuri.
Partia Socialiste rikandidon për një mandate të dytë në Bashkinë e qytetit bregdetar, Dritan Lelin. (A2 Televizion)