Tashmë është zyrtare. Ceremonia e çmimeve Oskar 2019, do të mbahet pa një prezantues, për herë të parë në 30 vitet e fundit. Kreu i ABC Entertainment, që transmeton live në të gjithë botën ceremoninë prestigjiozë të çmimeve Oskar, thotë se në vend të një prezantuesi zyrtar, çelja e ceremonisë dhe ndarja e çmimeve, do të prezantohen nga vetë aktorët, që do të dorëzojnë edhe trofetë.
Megjithatë, sipas mediave amerikane, drejtuesit e ceremonisë kanë dështuar në gjetjen e një personazhi, një prej personalitete më të famshme të showbizit botëror, të denjë për ta prezantuar këtë mbrëmje.
Në muajin dhjetor, komediani Kevin Hart hoqi dorë nga prezantimi i ceremonisë, pas debatit që shkaktuan në media disa postime të tij të vjetra mbi homoseksualitetin.

Zakonisht, prezantuesi zyrtar i mbrëmjes më të rëndësishme të kinematografisë, mban në fillim një monolog ndërsa është përgjegjës edhe për mbarëvajtjen e ceremonisë. Por tradicionalisht, statujat për fituesit i dorëzojnë yjet e ftuar.
Drejtuesit thonë se prezantimi I kësaj mbrëmje, është art më vete dhe duket se të zëvendësosh Billy Crystal është e pamundur. Ai ka shkëlqyer në prezantimit e Oskar për 9 edicione, nga viti 1990 deri në 2012. (A2 Televizion)