
Objektet e konfiskuara për shkelje të lejeve të ndërtimit do të mund të përfundohen nga shteti dhe më pas t’u dorëzohen qytetarëve që kanë lidhur kontrata porosie, sipërmarrjeje apo premtim-shitjeje me ndërtuesit dhe zhvilluesit. Ky është një nga ndryshimet kryesore që parashikon projektligji për administrimin e ndërtimeve të konfiskuara, i cili synon të zgjidhë edhe situatën e blerësve që kanë paguar për prona në objekte të papërfunduara.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, shpjegoi se ndryshimet në ligjin nr. 66/2023 synojnë jo vetëm konfiskimin e objekteve të ndërtuara në shkelje të lejes, por edhe përfundimin e tyre dhe dorëzimin te personat që kanë të drejta kontraktore mbi këto pasuri.
Sipas saj, legjislacioni aktual parashikon konfiskimin e objektit, por nuk përcakton detyrimin për përfundimin e punimeve. Pikërisht kjo mangësi synohet të korrigjohet përmes ndryshimeve të propozuara.
“Ajo që merr përsipër draftligji që ne propozojmë është të përfundojmë të gjitha objektet që janë lënë të papërfunduara nga ndërtuesit dhe t’ua japim pasuritë e përfunduara subjekteve që kanë pasur kontrata sipërmarrjeje, premtim-shitjeje”, deklaroi Xhaja.
Ajo theksoi se ky është një nga ndryshimet thelbësore në raport me kuadrin ligjor ekzistues. “Ligji aktual 66 nuk e parashikon këtë normativë, pra nuk parashikon që objekti duhet të përfundohet, por parashikohet thjesht konfiskimi i tij, ndërkohë që me ndryshimet ligjore ne kemi parashikuar edhe përfundimin e objektit total dhe dorëzimin tek personat që i kanë blerë”, shpjegoi kryeadministratorja e AAPSK-së.
Në këtë mënyrë, shteti synon të marrë përsipër përfundimin e ndërtimeve të konfiskuara, duke krijuar mundësinë që qytetarët që kanë investuar kursimet e tyre për blerjen e apartamenteve të marrin pronat për të cilat kanë lidhur kontrata.
Megjithatë, zbatimi i kësaj skeme do të varet nga verifikimi i kontratave, gjendja fizike e objekteve dhe procedurat e parashikuara në ligj.
Si do të verifikohen blerësit dhe si do të përfundohen ndërtimet?
Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit lidhet me identifikimin e personave që kanë të drejta mbi apartamentet apo njësitë e tjera në objektet e konfiskuara.
Sipas Xhajës, projektligji parashikon ngritjen e një grupi pune që do të kontrollojë kontratat e lidhura përpara noterit, me qëllim identifikimin e përfituesve të ligjshëm.
“Ligji ka parashikuar që një grup pune do të ngrihet për këtë qëllim, i cili do të kontrollojë të gjitha kontratat e lidhura përpara noterit dhe do të verifikojë kush janë subjektet që janë përfitues të këtyre pasurive dhe që kanë lidhur kontrata me zhvilluesin apo me ndërtuesin”, deklaroi ajo.
Paralelisht, AAPSK do të kryejë vlerësimin e gjendjes fizike të objekteve, për të përcaktuar nivelin e investimit të realizuar dhe punimet që kanë mbetur për t'u përfunduar. “Ne kontrollojmë vetëm gjendjen fizike të objekteve, shohim se sa është investuar, çfarë pjese e objektit ka mbetur pa u investuar dhe pastaj bëhet në vazhdimësi prokurimi për projektimin e përfundimit të punimeve dhe projektimin e ndërtimit”, shpjegoi Xhaja.
Të ardhurat nga shitja e pasurive do të përdoren për përfundimin e ndërtimeve
Një tjetër pikë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me përdorimin e të ardhurave që do të sigurohen nga shitja e pasurive të konfiskuara. Xhaja sqaroi se këto fonde do të destinohen për përfundimin e punimeve në objektet e lëna të papërfunduara nga ndërtuesit.
Sipas kryeadministratores, financimi i familjeve që përfitojnë nga programet e strehimit social rregullohet nga legjislacioni përkatës, ndërsa projektligji në diskutim përcakton një mekanizëm tjetër për administrimin dhe përfundimin e ndërtimeve të konfiskuara.
Kështu, të ardhurat nga shitja e pasurive do të shërbejnë për të financuar ndërhyrjet e nevojshme në objektet që nuk janë përfunduar, duke synuar dorëzimin e tyre në kushte të përshtatshme për përdorim.
Aktualisht 16 objekte i nënshtrohen procedurës së parablerjes
Gjatë diskutimit në komision, Xhaja bëri të ditur se aktualisht janë 16 objekte që i nënshtrohen procedurës së parablerjes, në kuadër të ligjit nr. 66/2023.
Sipas saj, bëhet fjalë kryesisht për ndërtime ku janë konstatuar shkelje të lejeve të ndërtimit, përfshirë ndryshime në volumet e objekteve dhe shtesa në ndërtimet ekzistuese. “Janë 16 objekte të cilat i nënshtrohen parablerjes, janë objekte përgjithësisht që janë në shkelje të lejes së ndërtimit”, deklaroi Xhaja.
Bazuar në ndryshimet ligjore, të drejtën e parablerjes do ta kenë vetëm subjektet që janë në tejkalim të lejes së ndërtimit dhe jo subjektet që kanë ndërtuar tërësisht pa leje.
Strehimi social përfshihet në kategoritë e përfituesve
Përveç mbrojtjes së interesave të qytetarëve që kanë lidhur kontrata me ndërtuesit, projektligji zgjeron edhe kategoritë që mund të përfitojnë nga pasuritë e konfiskuara. Sipas Xhajës, ndërsa ligji ekzistues ka mundësuar kalimin e pasurive për përdorim institucional, ndryshimet e reja përfshijnë shprehimisht edhe strehimin social dhe shoqërinë civile.
“Një nga arsyet pse po ndryshohet ligji është për strehimin social. Ne po përfshijmë një kategori jo vetëm institucionet, sepse kanë përfituar institucionet nga ligji ekzistues me pasuri të konfiskuara, por po zgjerojmë gamën e përfituesve”, u shpreh ajo.
Mekanizmi i parashikuar do të funksionojë mbi bazën e kërkesave që Ministria e Ekonomisë do të paraqesë për nevojat e strehimit social.
AAPSK do të identifikojë pasuritë e disponueshme dhe të përshtatshme, ndërsa kalimi i tyre te Ministria e Ekonomisë do të bëhet përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Xhaja theksoi se pasuritë që do të përdoren për strehim social duhet të jenë të përfunduara dhe të plotësojnë standardet e nevojshme për banimin e familjeve.
Investitorët përjashtohen nga përfitimi i pasurive
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përjashtimin e investitorëve nga përfitimi i pasurive të konfiskuara. Sipas Xhajës, ky përcaktim synon të shmangë mundësinë që subjektet e përfshira në zhvillimin e ndërtimeve të përfitojnë nga pasuritë që i nënshtrohen konfiskimit.
Kryeadministratorja e AAPSK-së sqaroi gjithashtu se procedurat e legalizimit nuk janë pjesë e projektligjit në diskutim. Ajo shpjegoi se subjektet do të duhet të vetëdeklarojnë situatën e tyre në raport me procesin e legalizimit, ndërsa rastet që nuk përfshihen në kushtet dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni përkatës do të trajtohen sipas procedurave të konfiskimit.
Një mekanizëm i ri për qytetarët që kanë paguar për apartamentet
Ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 66/2023 synojnë të adresojnë një problem të rëndësishëm në tregun e pasurive të paluajtshme: situatën e qytetarëve që kanë lidhur kontrata për blerjen e apartamenteve, por objektet ku ndodhen këto prona janë lënë të papërfunduara dhe më pas i nënshtrohen konfiskimit për shkelje të lejeve të ndërtimit.
Risia kryesore është që konfiskimi nuk do të mbetet vetëm një masë për marrjen e pasurisë nga shteti, por do të shoqërohet edhe me një mekanizëm për përfundimin e objektit dhe dorëzimin e njësive te blerësit që provojnë të drejtat e tyre kontraktore. (A2 Televizion)