“E papranueshme, po konsultohemi me NATO-n!”. Dronët godasin dy anije pranë ujërave bullgare, njëra fundoset

Nga Rosalba Bejdo
13 Tetor 2026, 14:33 | Bota

Përshkallëzohen tensionet në Detin e Zi. Dy anije tregtare u goditën nga dronët në ujërat pranë Bullgarisë, njëra prej të cilave u mbyt. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Rumen Radev, i cili sugjeroi se Rusia ishte e dyshuar për sulmet, ndërsa kishte thirrur ambasadoren e Moskës për shpjegime.

Kryeministri njoftoi se njëra prej anijeve ishte mbytur rreth 31 kilometra në lindje të Krapets dhe se një pjesëtar i ekuipazhit ishte shpëtuar. Tjetra, në pronësi të Ukrainës, por me flamur maltez, u godit nga tre dronë pranë qytezës së Byala dhe të 15 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan, shkruan A2 CNN.

Radev, vendi i të cilit është anëtar i NATO-s, e cilësoi ngjarjen si të papranueshme dhe paralajmëroi konsultime me sekretarin e përgjithshëm, Mark Rutte. “Kjo është absolutisht e papranueshme, një tjetër sulm në afërsi të ujërave territoriale bullgare. Kam planifikuar të bisedoj me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Megjithëse nuk ka prova përfundimtare për të përcaktuar fajësinë e njërës apo tjetrës palë, logjika sugjeron se rezultati i sjell dobi Federatës Ruse”, tha Radev.

Sulmi erdhi vetëm një javë pasi dy anije të tjera tregtare u goditën nga dronët në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë. Njëra prej anijeve, Alfa Watan, u mbyt dhe të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit, përfshirë nëntë sirianë, konsiderohen të vdekur.

Radev thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit të martën. Më herët, ai i kishte kërkuar NATO-s dhe BE-së mbështetje teknike për hetimin e sulmeve të 6 tetorit, duke sugjeruar se ishte e paqartë nëse pas tyre qëndronte Rusia apo Ukraina.

Radev ka ardhur në detyrë gjatë verës dhe ka kundërshtuar sugjerimet se është pro-rus. Ndërkohë, Kievi ka akuzuar drejtpërdrejt Rusinë për sulmet e fundit, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Deti i Zi po bëhej një tjetër front i përshkallëzimit të luftës në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos