
Po zhvillohet përpara Kryeministrisë ceremonia e dekorimit të presidentit amerikan Bill Klinton me “Yllin e mirënjohjes për arritjet publike”.
Nën masa të rrepta sigurie qindra njerëz janë grumbulluar në sheshin përpara Kryeministrisë për të ndjekur një ngjarje që vlerëson dhe nderon presidentin e 42 amerikan, i cili njihet dhe për rolin e tij vendimtar në çlirimin e Kosovës.
Të pranishëm në këtë ceremoni solemne janë të pranishëm dhe zyrtarë të lartë, ministra, përfaqësues të trupi diplomatik, gazetarë.
Bie në sy prania e kandidatit dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili shoqërohej nga disa deputetë të opozitës që e mbështesin.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndonëse i ftuar në këtë ceremoni, nuk mundi të ishte pranishëm për arsye shëndetësore, për të cilat nuk pati detaje të mëtejshme nga Presidenca.
Një personazh që tërhoqi vëmendjen duke u pozicionuar në sheshin përpara Kryeministrisë ishte dhe Alex Soros, djali i filantropistit George Soros, i cili tashmë ka marrë dhe drejtimin e fondacionit “Shoqëri e Hapur”.
Policia e Shtetit ka qenë në gatishmëri të plotë për mbarëvajtjen e kësaj vizite, duke bllokuar dhe disa akse kryesore rrugore në kryeqytet. (A2 Televizion)