“Nuk ndihem mirë kur shoh të majtë në burg”, Majko-Drejtësisë: Vetëm ata po e shkelin ligjin?

Nga A2 CNN
3 Korrik 2023, 16:26 | Politikë
“Nuk ndihem mirë kur shoh të majtë në burg”,

Sot dëgjuam njerëz që e meritojnë atë që u është besuar.” Kështu u shpreh deputeti socialist Pandeli Majko nga foltorja e Kuvendit ku sot raportuan për punën e bërë gjatë vitit 2022 drejtuesit e institucioneve të Drejtësisë së Re.

Majko deklaroi se raportuesit e sotëm në Kuvend janë përfaqësues të shpresës publike për zbatimin e ligjit duke nisur nga vetë salla e Parlamentit.

Ai kujtoi se mazhoranca e ka “provuar në kurrizin e saj shkopin e drejtësisë së re" duke mos e fshehur zhgënjimin se kjo drejtësi deri më tani ka parë vetëm majtas.

“Mos prisni që t’u them që ndihem mirë kur shoh përfaqësues të politikës së majtë në burg. E vërteta është që ndihem keq. Por më keq ndihem kur përballem me pyetjen se mos vallë në këtë vend vetëm të majtët e shkelin ligjin?”

Përpos fjalëve të mira për punën e bërë deri më tani, deputeti socialist kërkoi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të mos u kthehet traditave të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që marrëdhënia me Prokurorin e Përgjithshëm të mos ajo si ajo e një çifti të divorcuar.

Ndërsa, sa i përket punës së SPAK, Majko tha se mbështet hetimin e nisur brenda strukturës së Posaçme për nxjerrjen e sekretit hetimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos