
Brukseli paralajmëron shtetet anëtare që duan të prezantojnë më vete certifikatën e imunitetit nga koronavirusi, se do të përballen me një mori problematikash nëse blloku do të dështojë në krijimin e një sistemi të përbashkët.
“Nëse dakordësohemi politikisht, zgjidhjet teknike do të jenë gati në kohë. Nëse jo, rrezikojmë fragmentarizim rreth Europës. Do të rrezikonim të kishim një sërë dokumentash që nuk do të lexoheshin apo verifikoheshin në shtetet të tjera dhe gjithashtu përhapjen si të virusit ashtu edhe të mosbesimit të qytetarëve.”, shprehet Didier Reynders, komisoner europian për drejtësinë.
Bashkimi Europian synon të prezantojë një certifikatë të përbashkët digjitale për të lejuar lëvizjen e turistëve në verë. Por ka mosmarrëveshje për çështje si kostot, privatësia dhe aspektet teknike e shëndetësore të sistemit të ri.
“Komisioni propozon një mjet që do të lehtësojë lëvizjen e lirë rreth Bashkimit Europian, që do të lëshohet dhe pranohet në të gjitha shtetet anëtare duke lejuar qytetarët të udhëtojnë në mënyrë të sigurt dhe pa diskriminime”, shton Reynders.
Vende që mbeshteten te turizmi, të tilla si Italia dhe Spanja duan të lëshojnë certifikatën sa më shpejt të jetë e mundur për të ndihmuar ekonomitë në vështirësi. Por hezitimi i shteteve veriore, e gjithashtu procedurat e gjata të vendimeve të Brukselit, po i detyron ta gjejnë vetë zgjidhjen.
Ndërsa blloku përballet me valën e tretë të pandemisë, dhe me nivel të ulët të vaksinimit, skeptikët thonë se diskutimet për rifillimin e udhëtimeve janë të parakohshme. (A2 Televizion)